English

Depresioni i madh

Ndërsa, ne të gjithë jemi duke bërë përpjekje për të tejkaluar krizën ekonomike, pasojat e hidhura të kësaj krize tashmë i kanë shijuar edhe shtetet më të fuqishme ekonomike të botës

Nga Hashim Thaçi*

Fillimisht më lejoni të shpreh mirënjohjen time dhe të Shtetit të Kosovës për organizatorin e këtij samiti tradicional të nivelit të lartë dhe mundësinë për të adresuar tema të ndryshme të interesit të ndërsjellë. Qysh në fillim dua të theksoj se përkundër progresit që është bërë deri më tani, Evropa jug-lindore ende vazhdon të përballet me sfida të shumta. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kontinentet tjera të globit tonë, për faktin se sfidat me të cilat ne ballafaqohemi janë të natyrës globale. Në këtë kontekst, nuk mund të mos përmendet një ndër sfidat më të mëdha të natyrës globale- kriza ekonomike financiare apo siç i referohemi ‘depresioni i madh’. Ndërsa, ne të gjithë jemi duke bërë përpjekje për të tejkaluar krizën ekonomike, pasojat e hidhura të kësaj krize tashmë i kanë shijuar edhe shtetet më të fuqishme ekonomike të botës. Natyrisht, që nuk ka një zgjidhje të lehtë për probleme të tilla komplekse. Mirëpo, çfarëdo që të jetë ajo zgjidhje, ajo mund të arrihet vetëm më bashkëpunim dhe konsensus të përbashkët. Kosova është e gatshme të luaj rolin e saj konstruktiv dhe tashmë e ka bërë të qartë orientimin e vet për bashkëpunimi me të gjitha shtetet e rajonit dhe më gjerë, me qëllim të përshpejtimit për integrim në strukturat Veri-Atlantike. Për këtë qëllim po punojmë me kapacitetet tona të plota që kjo rrugë te jetë sa më e shkurtër dhe që Shteti i ri i Kosovës të marrë përgjegjësitë dhe shanset që i takojnë, si rezultat i këtij procesi integrues. Me shpalljen e pavarësisë, më 17 shkurt 2008, Kosova ka rikonfirmuar përkushtimin e saj si faktor stabiliteti në rajon. Pavarësia ka krijuar horizont të ri zhvillimor për popullin e Kosovës. Dy vjet në historinë e ekzistimit të shtetit janë shumë pak. Por, për këtë periudhë kemi pasur avancim në sferën e bashkëpunimit dhe pjesëmarrjes ndërkombëtare. Republika e Kosovës tashmë është anëtare e plotë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore. Po ashtu, jemi në rrugë të mirë për anëtarësim në institucione tjera me karakter ekonomik dhe zhvillimor. Në sferën ekonomike Kosova tashmë ka vënë themelet e shëndosha të një ekonomie të hapur me bazë tregun e lirë dhe konkurrencën. Këtë e shohim si mundësi dhe vlerë për perspektiven tonë afatgjatë dhe evropiane. Të gjitha ligjet e Kosovës janë në harmoni të plotë me direktivat e Unionit Evropian. Ekonomia botërore në periudhën e fundit u ballafaqua me krizë e cila së pari goditi sektorin financiar dhe si rrjedhojë edhe sfera tjera te ekonomisë së vendeve të ndryshme. Kësaj krize madje nuk i shpëtuan as shtetet më të zhvilluara dhe me një histori të gjatë shtetndërtimi. Kosova edhe në këtë periudhë nuk u lëkund. Asnjë bankë apo ndërmarrje nuk ka falimentuar. Kemi treguar performancë të mirë dhe qëndrueshmëri fiskale dhe makroekonomike. Rritja e GDP-së në vitin 2008 ishte 5.4% kurse në vitin 2009 4.4%. Në vitet e ardhshme kjo rritje pritet të jetë edhe më e lartë, rreth 6%. Kjo është dëshmi e qëndrueshmërisë ekonomike dhe politike të shtetit më të ri të botës. Kosova është një vend me një sistem taksash të ulëta, madje ndër më të ulëtat ne rajon. Ka një sistem te qëndrueshëm bankar dhe prezencë të kapitalit të jashtëm në këtë sektor. Pavarësisht disa problemeve sociale dhe të papunësisë, stabiliteti i përgjithshëm dhe makroekonomik në veçanti, ofrojnë parakushte të volitshme për të vazhduar fuqishëm me reformat strukturore dhe me tërheqjen e investimeve të jashtme. Këto ditë jemi ne përmbyllje të programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili përveç që do të ofrojë mbështetje financiare Kosovës, do të rikonfirmojë edhe një herë qëndrueshmërinë e pakontestueshme ekonomike dhe të politikave të përgjithshme të vendit. Në këtë kuadër, vazhdojmë me procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe kemi filluar me projektet për përfshirjen e investimeve private edhe në ndërmarrjet strategjike të fushës së shërbimeve publike. Këto ditë jemi në përmbyllje të koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës së bashku me konzorciumin Francez dhe Turk Limak dhe Airport de Lion. Në sektorin e energjisë tanimë kemi përfunduar përgatitjet për hapjen e procesit të privatizimit të furnizimit dhe shpërndarjes. Ky është një proces shumë i rëndësishëm për stabilizimin e sektorit energjetik në Kosovë. Jemi në fazën përfundimtare për shpalljen e projektit më të madh në vend, atë te ndërtimit të një termocentrali të ri, i cili fillimisht do të prodhojë 600 MGË me mundësi reale të rritjes në këtë sektor në periudhat e mëvonshme. Gjithashtu, kemi hapur shprehjen e interesit për nëntë hidrocentrale të reja dhe procesi pritet të përmbyllet së shpejti. Në sektorin e transportit dhe telekomunikacionit kemi filluar ndërtimin e autostradës qe do të lidhë Kosovën me Shqipërinë dhe me Serbinë, si pjesë e korridoreve rajonale dhe Evropiane. Ky projekt pritet të përfundojë në tri vitet e ardhshme dhe do të jetë një shtytës i fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit dhe lidhjen më të mirë me ekonomitë e rajonit dhe me gjerë. Efektet ekonomike të këtij projekti do të jenë me rreth 2 deri ne 3% rritje në GDP e vendit. Ju nga Kroacia besoj se më së miri mund ta konfirmoni këtë me projektin tuaj të autostradës Zagreb – Split. Jemi duke punuar ngushtë me Qeverinë e Shqipërisë për të finalizuar modelin e marrjes në shfrytëzim të Portit detar të Shën Gjinit, në Detin Adriatik, i cili do të mundësojë transportin më efikas të mallrave dhe njerëzve, duke e lidhur Kosovën me vendet tjera te botës edhe përmes rrugëve detare. Në fushën e telekomunikacionit jemi ne proces të privatizimit të ndërmarrjes më të madhe publike, Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës. Ky transaksion pritet të përmbyllet në fund të këtij viti. Në vazhdim, më lejoni te theksoj edhe potencialet tjera zhvillimore të Kosovës, që janë te bazuara në pasuritë natyrore dhe minerare, që i kemi dhe ne një popullsi të re dhe të përgatitur për tregun e punës. Të gjitha këto potenciale dhe projekte janë tejet të rëndësishme për zhvillimin e vendit dhe atraktive për investime të mëdha të jashtme. Më lejoni që të shfrytëzoj edhe njëherë këtë mundësi dhe t‘u bëjë thirrje të gjithë investitorëve të mundshëm që të jenë pjesëmarrës në këto projekte. Procesi është i hapur për të gjithë dhe do të shoqërohet me transparencë të plotë. Në përmbyllje, më lejoni të potencoj që Kosova pret së shpejti një opinion nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë rreth vendimit sovran për shpalljen e pavarësisë. Besoj që ky opinion do të konfirmojë dhe qartësojë të drejtën legjitime të popullit të Kosovës për të qenë i lirë dhe i pavarur, pas gjithë asaj çfarë i ka ndodhur. Pas këtij opinioni, Kosovën e presin njohje të reja ndërkombëtare. Do të dëshironim që edhe Serbia përfundimisht të demonstrojë bindjen e saj për realitetin e ri dhe të fillojmë bashkëpunimin e duhur si dy vende fqinje. Kjo rrugë do t’i shërbente paqes, prosperitetit dhe një të ardhme të sigurt te dy vendeve tona. Së fundi, dua të theksoj edhe njëherë se problemet e natyrës globale, mund të tejkalohen duke ofruar një qasje po ashtu globale dhe të bashkëpunimit reciprok. (*) Fjala e mbajtur Kryeministri i Republikës së Kosovës, në Samitin e Kroacisë, “Evropa Jug-lindore në përballje me Sfidat Globale”

KOMENTE