English

Dorëzohen në muzeun e Vlorës, 10 monedha të qytetit ilir Amantia

Vlorë, 10 Korrik, NOA/ Nga Gëzim Llojdia – Mëse 10 monedha të qytetit ilir Amantai janë dorëzuar dje në muzeun arkeologjik-historik të Vlorës.

Ka qenë banori i fshatit Amonicë të rrethit të Vlorës, Viron Rama, i cili dispononte në banesën e tij monedha të Amantias, të gjetura rastësisht para viteve ’90 dhe pas identifikimit të kryer nga Parku Amantia, ai pranoi t’ia dorëzojë monedhat muzeumit të lartpërmendur në Vlorë për t’u ruajtur dhe për t’u vizituar.

Parku Kombëtar Amantia ka punuar së fundmi për hartimin e një identifikuesi për gjetjet arkeologjike, ku për të realizuar këtë çelës identifikues, u bashkëpunua me shumë faktorë.

Sipas të dhënave që mbërrijnë prej tij, deri tani janë identifikuar rreth 26 objekte, për të cilat është katalogimi dhe dixhitalizimi, sikundër janë identifikuar edhe rreth 6 objekte në banesat e fshatit.

Me dorëzimin e 10 monedhave të Amantias, parku arkeologjik Amantia bëhet i pari institucion kulturor në Shqipëri që mbledh objektet të cilat janë grabitur dhe i dorëzon në muzeumet arkeologjike të vendit.

40 objekte të dorëzuara në muzeun arkeologjik të Apolonisë dhe Vlorës përbëjnë një tregues konkret të punës evidentuese dhe ruajtjes së objekteve të dy qyteteve antike që menaxhon kjo zyrë në 2 parqet arkeologjike të Amantia dhe Orikum.

Ndërkaq, 30 objekte janë dorëzuar në muzeun arkeologji-historik të Vlorës, nga të cilat 20 i përkasin qytetit antik Oriko, 10 janë monedhat që dorëzoi banori i fshatit Amonicë, Viron Rama dhe 10 objektet që i përkasin kryesisht ikonostasit të bazilikës paleo-kristiane të Amantias u dorëzuan një vit e gjysmë më parë në Apoloni.

Dorëzimi o objekteve-monedha, si dhe objekteve të tjera, tregon përkushtimin e institucioneve kulturore në mbrojtje të trashëgimisë e cila në 20 vjetet fundit ka pasuar dëmtime, sidomos vjedhjet në këto objekte ku një numër i madh janë dërguar jashtë shtetit.

g.ll/n.e//NOA

KOMENTE