English

Durresi Dhe Ulqini, Kryebashkiaket Firmosin Binjakezimin E Qyteteve Bregdetare

DURRES, 10 korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Qyteti i Durrrësit dhe ai i Ulqinit (Mali i Zi) janë lidhur sot në një marrëveshje binjakëzimi, që u nënshkrua nga kryetarët e bashkive të dy qyteteve. Gjatë takimit të organizuar në bashkinë e Durrësit, kryetari i komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, tha se "të dy qytetet bregdetare i bashkon një miqësi e hershme, që ka në bazë edhe praninë e dhjetra familjeve ulqinake, të cilat në fillim të shekullit të 20-të për shkaqe të konjukturave politike të kohës, u shpërngulën nga qyteti i vogël drejt qyteteve bregdetare të Shqipërisë". "Ne do të bashkëpunojmë në fushat e kulturës dhe veprimtarive të tjera, pa harruar turizmin, fushë për të cilën dallohen të dy qytetet buzë Adriatikut", tha kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, duke gjetur mbështetjen e plotë të mysafirit nga Ulqini, Gëzim Hajdinaga. Pas nënshkrimit të protokollit të bashkëpunimit kryetarët shkëmbyen dhuratat e rastit. Një tablo në të cilën shihet kalaja e Ulqinit ku kanë banuar shumë prej familjeve të hershme që u zhvendosën nga qyteti i Malit të Zi drejt Durrësit, ishte dhurata e kryetarit Hajdinaga, që emocionoi edhe përfaqësuesit e shoqatës "Ulqini" në qytetin e Durrësit. Kryetari i komunës së Ulqinit në vizitën e tij në Durrës shoqërohet edhe nga ministri i Pakicave të Republikës së Malit të Zi, Fuat Nimani, i cili ka kryer më parë edhe detyrën e kryetarit të bashkisë së qytetit. Mysafirët nga Ulqini do të jenë sot të pranishëm edhe në takimin e organizuar në pallatin e kulturës "Aleksandër Moisiu" në përkujtim të dhjetra detarëve veteranë ulqinakë, të cilët bashkë me familjet dhe përvojën e tyre tradicionale sollën 100 vjet më parë në Durrës edhe mjaft anije personale që rritën së tepërmi tonazhin e flotës së vogël tregtare të qytetit bregdetar në fillim të shekullit të kaluar. /a.ke/
KOMENTE