English

Fishë Teknike/Kuvendi Në Prag Të Bilancit Njëvjeçar

TIRANË, 10 Korrik/ATSH-Anila Struga/.- Kuvendi i Shqipërisë i mbyll zyrtarisht punimet e sesionit të dytë të legjislaturës së XVIII-të më 26 korrik. Në prag të përfundimit të tij, aktiviteti njëvjeçar i Kuvendit, institucioni më i rëndësishëm legjislativ, i nisur më 7 shtator 2009 me konstituimin e parlamentit të ri që doli nga zgjedhjet e 28 qershorit e deri më sot, regjistron një bilanc pozitiv, me miratimin e mbi 190 ligjeve, vendimeve e rezolutave, përgjatë 39 seancave plenare. Gjatë kësaj periudhe, Kuvendi përmbushi rolin kushtetues, duke vazhduar me reformat e rëndësishme të vendit, përmes miratimit të një numri ligjesh të rëndësishëm në fushat e drejtësisë, ekonomisë, etj. Jeta parlamentare përgjatë vitit të parë legjislativ u shoqërua në pjesën më të madhe të kohës me bojkotimin e Kuvendit nga Partia Socialiste në opozitë, e cila ishte e pranishme me kohë të plotë në sallën e Kuvendit vetëm në 10 seanca, nga 39 të zhvilluara deri më sot. Momenti më i vështirë në veprimtarinë 1- vjeçare të Kuvendit mbetet miratimi i projektligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash (3/5), për të cilat opozita ende nuk jep konsensus. Një pjesë e tyre kanë qënë 'peng' i bojkotit të zgjatur të deputetëve të majtë, ndërsa disa të tjerë janë mbartur nga legjislatura parardhëse. Opozita e përligj këtë qëndrim bllokues me plotësimin e kërkesës për zgjidhjen e krizës politikë në vend, përmes transparencës së zgjedhje. Nga zhvillimet kryesore të vitit të parë të legjislaturës së XVIII-të: - Më 7 shtator 2009 nis punimet sesioni i I-rë i Kuvendit pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, njohur dhe çertifikuar nga institucionet zgjedhore ndërkombëtare, si zgjedhjet më të mira të zhvilluara në Shqipëri. Opozita refuzon të hyjë në parlament duke kërkuar transparencën e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive të votimit. - Më 16 shtator 2009 Kuvendi votoi programin dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. - Gjatë këtij viti, u mbajtën rreth 40 seanca plenare. - Në të dy sesionet parlamentare u miratuan rreth 200 ligje dhe vendime. - Më 27 Nëntor 2009 Kuvendi miraton projektbuxhetin për vitin 2010. - Më 3 Dhjetor 2009, Kuvendi miraton ligjin 'Antimafia'. - Më 18 Janar 2010, Kuvendi miratoi rezolutën ku i kërkon Qeverisë që të angazhojë të gjitha burimet financiare dhe njerëzore të saj për kapërcimin sa më të shpejtë të pasojave të përmbytjeve në qarkun e Shkodrës. - Më 25 Shkurt 2010, deputetët e Partisë Socialiste të opozitës hyjnë për herë të parë në Kuvend, pas një bojkoti 6-mujor. - Më 11 mars 2010 Kuvendi miraton me 127 vota rezolutën për liberalizimin e vizave. - Më 19 Mars Kuvendi miraton vetëm me votat e maxhorancës ngritjen e komisionit hetimor për transparencën e zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit, i cili nuk u votua nga opozita. - Më 15 prill Kuvend mban një minutë heshtje në nderim të ish-Presidentit polak Leh Kazinski, që u nda nga jeta më 10 prill pas aksidentit tragjik ajror në Smolensk të Rusisë. - 24 qershor Kuvendi miraton disa ndryshime në rregulloren që lidhen me mënyrën e shqyrtimit dhe votimit në parlament të dekreteve të Presidentit. - 8 Korrik Kuvendi miraton me votat e maxhorancës kandidaturën e Medi Bicit për anëtar të Gjykatës së Lartë, ndërsa rrëzoi kandidaturën e Sokol Çomos. Opozita nuk mori pjesë në votim. Ndërkohë, një numur projektligjesh të rëndësishme, që kërkojnë miratimin me shumicë të cilësuar, janë depozituar për votim në seancën e fundit parlamentare për këtë sesion që është parashikuar të zhvillohet më 26 korrik. Disa nga p/ligjet që presin votimin me 3/5 e votave: P/ligji "Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative". P/ligji "Për ndryshimin e emrit të fshatit Qendër Komunë". P/ligji "Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare", P/ligji "Për Noterinë". Votim me shumicë të cilësuar presin dhe një numer ndryshimesh në disa kode si, ndryshimet në "Kodi Hekurudhor", "Kodi Doganor", "Kodi Ajror", "Kodi Rrugor" dhe "Kodi detar". /a.ke/
KOMENTE