English

Hipokrizia e LSI

Hipokrizia e Lëvizjes Socialiste për Integrimin me “Fenomenin Çomo” e bën politikën shqiptare më imorale se ç’është

Nga Av. Idajet Beqiri* Foto: NOA/LSA

Kryetar i PUK

Politika shqiptare ka vuajtur dhe vuan për një kohë pafundësisht të gjatë prej hipokrizisë. Kjo sëmundje është aq e gjatë në kohë, dhe aq e thellë në shpirt e shqiptarëve, sa me fakte kokëforte detyrohesh të bindesh se politika dhe hipokrizia në këtë vend kanë lindur në të njëjtën kohë.

Hipokrizija, si një nga sëmundjet më të rënda prej së cilës kanë vuajtur dhe vazhdojnë të vuajnë shqiptarët, historikisht na ka shkaktuar shumë plagë. Kjo sëmundje na ka bërë një komb “invalid”.

Në periudha të gjata historike gjymtyrët e kombit tonë, mëndja e tij, shpirti i tij, forca e tij, kanë mbetur të përgjysmuara, ose për më keq, gjysma është përplasur më gjysmën tjetër dhe vetasgjësimi ka bërë kërdinë.

Në vend që të nxëmë nga kjo gjëmë historike që na ka robëruar shpirtin një jetë të tërë, në vend që këtë hipokrizi shekullore ta konsiderojmë si një mish të huaj që duhet të shkulet me rrënjë e me farë nga jeta e shqiptarëve, për fatin e keq, politika jonë e përditshme në çdo çast e ushqen këtë hipokrizi, e mban gjallë atë, e për fatin e keq të vendit e qytetarëve të tij, e ka kthyer qëllim në vetvete këtë sëmundje, sa nuk rrojnë dot pa të.

LSI erdhi në politikën e këtij vendi, ashtu si erdhi dhe andaj nga erdhi. Pati motive, s’pati motive, kjo është punë për të dhe për ata që e ndjekin nga pas. Rëndësi ka fakti se proklamon integrimin e vendit në shoqërinë e civilizuar të Evropës dhe të botës.

Shumëkush ia mori për keq kësaj force politike marrjen e votave të 28 qershorit 2009 nga e majta, dhe çuarjen e tyre për të qeverisur së bashku me të djathtën. Unë isha një nga ata që vlerësova se një veprim i tillë do ndikonte sadopak në demokratizimin e së djathtës, në zbutjen në një shkallë të dukshme të hipokrizisë së kësaj të djathte në politikën shqiptare, domethënë gjithçka në këtë fenomen të pazakontë, pash një ndikim emancipues.

Ishin shumë ata që menduan kështu. Por janë të shumtë gjithashtu, përfshi dhe mua, që jemi zhgënjyer.

Pati shumë nga ata që, qysh atëherë kur u bë kjo “krushqi”, u treguan skeptik, sepse me sa duket, niseshin nga “Stani atë bulmet ka”. Mbase është edhe kjo, sepse në atë “Stan” ka edhe plotë figura të tjera, të cilët kur kanë hyrë në të, na kanë ngazëllyer, dhe kemi pritur që me mirësinë e tyre, me intelektualizmin e tyre, ta zbusnin “bariun” dhe “ta ëmbëlsonin qumështin e këtij stani”.

Mirëpo, pa kaluar pak kohë “stanxhinjtë e rinj”, në vend që të përmirësonin “stanin”, e bënin atë po aq, e ndoshta më shumë hipokritë e të egër nga ç’ishte.

Tashmë, për çdo shqiptar, është e qartë se Qeveria aktuale “mbretëron” vetëm dhe në saj të LSI. Në se LSI do të merrte guximin e t’i thoshte kësaj Qeverie “Ndalu Beg, se ka hendek”, ky vend dhe qytetarët e tij do të kishin një jetë më të mirë, një ekonomi më të mirë, një paqe sociale dhe siguri më të mirë, një kriminalitet më të ultë, një gjendje psikologjike e një qetësi shpirtërore më të mirë. Për fatin e keq LSI jo vetëm që nuk po e manifeston këtë rol, por çdo ditë e më shumë po ia shtonë dozat e hipokrizisë politikës në vend, duke e bërë atë shumë më imorale, nga ç’është, e jetën e qytetarëve, shumë më stresante, nga ç’ishte pa LSI në qeverisje.

Rasti më tipik i kësaj hipokrizie të LSI ndaj politikës aktuale në vend, është “Fenomeni Çomo”, të cilin e mbyllën deputetët e djathtë të Kuvendit të Shqipërisë me një turp të radhës, si shumë turpe të tjera të mëparshme.

Gjykata e Lartë e Shqipërisë, së paku para 4 vjetëve, ishte ndoshta institucioni i vetëm i drejtësisë në vend ku qytetarët e këtij vendi ndjenin një farë shprese, besimi dhe qetësie shpirtërore se drejtësia dhe ligji do të viheshin në vend dhe hallet e tyre të panumërta do të gjenin një zgjidhje të drejtë.

Tashmë edhe kjo hallkë e rëndësishme e drejtësisë, u baltosë me disa figura, që kudo mund të ishin, por kurrë në Gjykatën e Lartë, ashtu sikurse është “baltosur” deri diku edhe Gjykata e Apelit në Tiranë. Dekreti i Presidentit të Republikës për të caktuar Zotin Sokol Çomo në Gjykatën e Lartë ishte objektiv, largpamës, i qëlluar nga pikëpamja profesionale dhe e ndershmërisë së kandidaturës.

Mirëpo mazhoranca aktuale nuk shkëputet dot nga “tradita”. Ajo i do gjykatat, prokuroritë, policinë, kontrollin e shtetit, avokatin e popullit, burgjet, për vete, të nënshtruara dhe zbatuese të zellshme të urdhrave dhe pisllëqeve politike, në dëm të ligjit dhe drejtësisë. Në këtë kuadër në sistemin aktual të drejtësisë së sotme nuk do të ketë vend as për Vangjel Kostën, as për Sokol Çomon, as për Vexhi Muçmatën etj.

Po ku konsiston hipokrizia e LSI në këtë fenomen? Drejtuesit e LSI ka dy ditë që po “çajnë” televizionet e gazetat duke trumbetuar se më në fund, e ndoshta për herë të parë pas 29 qershorit 2009, dolën “kundër” mazhorancës qeverisëse dhe votuan “pro” kandidaturës së Sokol Çomos për në Gjykatën e Lartë.

Madje po e çojnë më tej këtë “radikalizmin” e tyre, po akuzojnë hapur, e madje me egërsi, Grupin e deputetëve të PS-së, të cilët nuk morën pjesë në votim për kandidaturën e Sokol Çomos. Sipas deklaratave të LSI, në se deputetët e PS-së do të ishin në Sallën e Kuvendit dhe do të votonin, Sokol Çomo do të merrte 69 vota pro, nga 64 vota kundër që mori prej deputetëve të PD-së. Dhe kështu LSI mendon se “i fitoi pikët” para elektoratit të majtë, pasi “ia la në derë topin PS-së”!

Hipokrizi më klasike se sa kjo që shfaqi LSI, s’ka ku të shkojë. Nisur nga përvoja, të cilën u munduam ta analizojmë sadopak më sipër, ky rast dhe ky votim i 4 deputetëve të LSI pro kandidaturës së Sokol Çomos, është një hipokrizi tipike e radhës, e cila e bënë politikën aktuale shqiptare, shumë më imorale nga sa është.

E konsiderojmë “hipokrizi”, sepse kemi bindjen, bindje që na i jep “stani” që aktualisht na qeveris, që këta katër deputetët të LSI, votuan në këtë mënyrë pasi morën “bekimin” e “bariut të Stanit”. Nëse ky “bari” nuk do të ishte i këtij mendimi, këta katër deputetë të LSI janë gati të heqin dorë, e jo të votonin Sokol Çomon.

Dhe më kryesorja, në se deputetët e PS-së do të ishin në sallën e Kuvendit dhe do të merrnin pjesë në votim, vota e katër deputetëve të LSI do të ishte pa dyshimin më të vogël në anën e Grupit të deputetëve të PD-së, domethënë kundër Sokol Çomos.

Po pse vazhdohet kështu me të tilla hipokrizi në politikën shqiptare? Vallë kaq keq janë verbëruar nga pisllëku politik që mbizotëron në këtë vend këta politikan, sa nuk janë në gjendje të kuptojnë që gjithkush shqiptar në këtë vend, që ka dy gram tru në kokë, e kupton që ky veprim i LSI është një “karrem” për deputetët e PS-së për të “thyer embargo” që i kanë bërë këtij Kuvendi të 28 qershorit 2009?!

Me hipokrizi të tilla foshnjore këta “burra politikanë” mund të kënaqen vet, mund të kënaqin edhe familjarët e vet, të cilët gjithsesi, ndoshta nga sëmundja ngjitëse e hipokrizisë, apo ndoshta nga “bëjë qejfin këtij budallait që e kam në shtëpi”, mund edhe të përkrahin, por një popull i tërë që e vuan kaq egër këtë hipokrizi neveritëse dhe të përdalë në politikën shqiptare, e hedh, dhe duhet të bëhet plotësisht i përgjegjshëm për ta hedhur poshtë me neveri.

(*) Dërguar nga autori, pikëpamjet janë personale

KOMENTE