Gjirokastër, 10 Korrik, NOA – Pas vënies në pranga të kryeplakut dhe një banori të fshatit Peshtan të Tepelenës, forcat policore e kanë vijuar edhe sot operacionin anti-kanabis të koduar “Bliri”, duke mundësuar arrestimin e dy personave të tjerë.
Siç konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA, dy të ndaluarit e rinj janë nga fshati Asim Zeneli i Gjirokastrës dhe janë kapur në flagrancë për “Kultivim të bimëve narkotike”, duke u sekuestruar në total 154 rrënjë bimë narkotike e llojit kanabis sativa.
Mësohet se i ndaluar i parë është Artur Cika, 37-vjeç, në baçen e të cilit u evidentuan 47 rrënjë bimë narkotike të kultivuara, të cilat varionin nga 1-1.50 centimetra të larta.
Bëhet me dijeni se ai sapo ka parë forcat e policisë t’i afrohen, ka filluar t’i shkatërrojë vetë, por është arrestuar menjëherë në flagrancë prej tyre.
Ndërsa i ndaluari i dytë, Meleq Shosha, 64-vjeç, u identifikua se kishte mbjellë në baçen e tij 107 rrënjë bimë të dyshuara si kanabis sativa.
Që të dy janë vënë në pranga për veprën penale të ”Kultivimit të bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal, ndërsa materialet iu kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme dhe bëhet me dijeni se operacioni “Bliri” vazhdon e do të shtrihet në të gjitha komunat e qarkut të Gjirokastrës.
n.e/NOA