NOA - LEXONI UDHEZIMET E PERDORIMIT
Johanesburg, 10 Korrik 2010 - Për një kohë, Sepp Blatteri renditej në shkallën e pëlqyeshmërisë në Afrikën e Jugut fill pas Nelson Mandelës, atëherë kur bosi i FIFA-s e solli Botërorin 2010 për të parën herë në tokën afrikane.
"FIFA është përfituesi kyç i Kampionatit Botëror, ajo del më mirë. Deri tani FIFA ka nxjerrë më shumë para sesa nga çdo organizim i botërorit në një vend tjetër. Prandaj pyetja e madhe që bëhet në Afrikën e Jugut është: Ku po shkojnë gjithë këto para dhe kush përfiton vërtet nga Botërori? Me sa shohim, ata janë firmat e ndërtimit dhe FIFA me partnerët e saj".
Eddie Cottle mund të arrijë pikën e vlimit kur flitet për temën e botërorit 2010. Cottle është i ngarkuari për botërorin i grupit lobist "Labour Research Service" me qëndrim të afërt me sindikatat dhe kritiku afrikano-jugor më i ashpër i botërorit, por jo i vetmi.
15 miliardë rand, rreth 1,5 miliardë euro, do të lënë në vend 400.000 vizitorët e botërorit. Kjo shumë ka përballë kosto prej 1,7 miliardë eurosh vetëm për zgjerimin e infrastrukturës. Në fund taksapaguesi afrikanojugor do të duhet të paguaj rreth 33 miliardë rand shtesë, 3,3 miliardë euro. Këto janë afërsisht sa shuma që FIFA do të regjistrojë si fitim neto mbrëmjen e 11 korrikut, kur të përfundojë botërori më fitimprurës i të gjitha kohërave.
Tregtarët e vegjël u dëbuan
Nkosinathi Jigega është anëtar i organizatës joqeveritare "Street Vendors" në njërin nga qytetet e ndeshjeve, Port Elizabeth. Si të tjerë ai qe i detyruar të shikonte sesi FIFA me anë të politikës së saj pa komromis të të drejtave i detyroi tregtarët e vegjël tradicionalë që në favor të sponsorëve McDonald's dhe Coca Cola të largoheshin nga vendet e parkimit të stadiumeve.
Nga këto vende të financuara më parë nga taksapaguesit ata kishin furnizuar prej dekadash me shalle dhe kallinj misri të pjekura tifozët afrikano-jugorë:"Slogani 'Kampionat Botëror afrikan' është vetëm një truk marketingu. Realiteti është ky që firmat evropiane dhe FIFA i marrin paratë në kurriz të shoqërisë afrikano-jugore. Sepse gjithçka që shikoni tani në televizor e ka vënë në dispozicion qeveria afrikano-jugore."
Firmat evropiane dhe FIFA
Kostove të drejtpërdrejta të botërorit u shtohen dëme kolaterale nga FIFA. Shumë afrikanojugorë bëjnë përgjegjës për çmimet tepër të larta në hoteleri dhe në fluturimet e brendshme gjithashtu "Blatter & Co". Kërkesa e brendshme në këta sektorë ka vuajtur shumë gjatë qershorit dhe korrikut, nga turistët Afrika e Jugut mbahet si vend udhëtimi i shtrenjtë, gjë që mendohet se do të ndihet tek numri i vizitorëve vitin e ardhshëm.
Për këto arsye që prej eliminimit të ekipit vendas, Bafana Bafana, në klubet e Afrikës së Jugut shtrohet vetëm pyetja se kush i paguan dëmet e shkaktuara nga të tjerët dhe nëse ia vlejti mundimi.
Gazetari hulumtues britanik Andrew Jennings ka shkruar një libër, që po shitet veçanërisht mirë këto ditë në Afrikën e Jugut. Ai përshkruan pazarllëqet e dyshimta të FIFA-s dhe quhet "Foul!". Sepp Blatter shpreson që pas botërorit të propozohet për çmimin Nobel. Të ishte për afrikano-jugorët, ai dhe FIFA e kishin vendin në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Deutsche Welle