Korçë, 10 Korrik 2010 NOA/ Alba Filipi– Kalon, e shtyp një njeri si pa të keq, e kupton shumë mirë se sapo ka rrezikuar një njeri, në mos i ka marrë jetën dhe jo vetëm që nuk ndalet t’i japë ndihmën e parë por zhduket me të shpejtë për të humbur çdo gjurmë që do ta çonte në pranga.
Kështu ka ndodhur natën duke gdhirë dita e sotme në rrugën Korçë – Boboshticë, te vendi i quajtur “Karburanti i Mihallarve”, raporton korrespondentja e agjencisë NOA.
Një automjet ende i panjohur, ka përfshirë në rrota një burrë që gjendej mbi biçikletë dhe si e ka hedhur disa metra më tutje, është larguar nga vendngjarja.
Në vendin e aksidentit disa kalimtarë kanë parë një mashkull të përgjakur dhe biçikletën aty pranë dhe duke tentuar ta shpëtojnë e transportuan me një mjet të rastit për në Spitalin e Tiranës.
Por transporti ishte i padobishëm për viktimën sepse në rrugë e sipër ai ka ndalur së marri frymë duke ikur nga kjo botë, për shkak të plagëve fatale të marra në trup.
Policia e njoftuar nga banorët, ka shkuar në vendngjarje dhe ka konstatuar se aksidenti kishte sjellë vdekjen e 42 vjeçarit Adriatik Callo, banues në fshatin Barçë të rrethit Korçë. Duke qenë se ngjarja ka ndodhur natën kur ishte errësirë, policia tha se deri tani nuk ka gjetur asnjë gjurmë të makinës dhe drejtuesit të saj.
Gjithsesi, policia tha se po heton ngjarjen duke nisur procedim penal pa autor, për veprat penale te “Shkeljes se Rregullave te qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i ngjarjes”. Policia tha se materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Korçë për hetime të mëtejshme.
a.f/r.n/NOA