Srebrenicë, 10 Korrik, NOA – Masakra më e madhe në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, mbush ditën e nesërme plot pesëmbëdhjetë vjet.
Fjala është për masakrën e Srebrenicës, e cila u shënua 15 vjet më parë, mes datave 11-18 korrik 1995, gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë, ku trupat serbo-boshnjake të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiç, hynë në Srebrenicë dhe masakruan popullsinë myslimane të këtij vendi.
Tragjedia u mori jetën 8300 personave, ndërsa të mbijetuar prej saj deklarojnë se viktimat mund të jenë edhe më shumë se 10 mijë.
Deri tani, zyrtarisht janë identifikuar 3647 viktima nga masakra e Srebrenicës, ku shumë familje u zhdukën plotësisht nga forcat militare serbe, të cilët i veçuan meshkujt, i larguan më pas nga qyteti, i ekzekutuan në masë dhe i varrosën në varre masive.
Ndërkaq, në kuadrin e këtij përvjetori, në Bosnjë po zhvillohet një marshim i madh, ndërkohë që janë mbledhur edhe shumë krerë shtetesh, për të përkujtuar dhe respektuar mijëra viktimat e pafajshme.
Masakra, e cilësuar si gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, përkujtohet tashmë në mbarë Bashkimin Evropian sipas një rezolute të miratuar në janar nga Parlamenti Evropian. n.e/NOA