English

Meta: Të përfitojmë, Ballkani rruga kryesore Lindje-Perëndim për naftën e gazin

Dubrovnik, 10 Korrik, NOA – Rajoni i Ballkanit është i etur për rimëkëmbje ekonomike në këto kohë krize globale dhe rrjeti infrastrukturor strategjik e i ndërlidhjeve energjetike, është i pazëvendësueshëm për realizimin e saj.

Kështu është shprehur lidhur me perspektivat e rajonit, gjatë fjalimit të mbajtur në Samitin e Kroacisë, ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, sipas të cilit, rajoni ynë është rruga kryesore strategjike midis Lindjes dhe Perëndimit për të gjitha linjat e naftës dhe gazit që vijnë nga Kaspiku për tregjet evropiane.

“Vendet tona duhet të përfitojnë nga kjo mundësi që do ta shndërrojë në një rajon më të sigurt dhe më tërheqës. Kjo nevojë është e shumë e rëndësishme për zbatimin e parimit të gjithë-përfshirjes, në të gjitha dimensionet, sepse zhvillimi ekonomik lehtëson koston e reformave dhe e shpejton këtë udhë”, deklaroi ai.

Më tej, Meta tha se pajtimi dhe rindërtimi e kanë çuar rajonin e Ballkanit drejt një rruge të pakthyeshme evropiane, ku integrimin përmes reformave të thella e kemi zgjedhur si prioritetin tonë kombëtar dhe të përbashkët.

“Ky realitet i ri, është rezultati i pozicionit të qartë dhe të fortë të vendeve anëtare të BE-së në mbështetje të zgjerimit. Kjo mbështetje ka qenë e prekshme për disa vende në rajon, duke siguruar një bazament të fortë për anëtarësimin e ardhshëm të vendit tim Shqipërisë, dhe për të tërë rajonin në këtë drejtim. Kur kjo të arrihet, Evropa do të jetë me të vërtetë e plotë dhe e lirë”, tha më tej ai.

Duke mos harruar të shtojë se ky proces dhe e ardhmja e tij, nuk janë thjesht dëshira. “Pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve është kyç për të ardhmen e rajonit tonë. Shqipëria u kushton rëndësi të veçantë marrëdhënieve tona me Serbinë. Së fundmi kam vizituar Beogradin, ku ramë dakord të bashkëpunojmë në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, veçanërisht në ato që na sjellin më shpejt dhe më afër BE-së”, tha më tej kryediplomati shqiptar.

Në fund, ai e ka mbyllur duke shprehur bindjen se përmes përpjekjeve të përbashkëta dhe me praninë dhe asistencën e BE-së, si dhe faktorëve të tjerë të rëndësishëm, rajoni ynë do të jetë pjesë e një Evrope të plotë dhe të lirë.

n.e/NOA

KOMENTE