English

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Rexhepi: Deklaratë e frustruar e Tadiçit

Prishtinë, 10 Korrik 2010 - Presidenti i Serbisë po bën deklarata të frustruara, thotë ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi. Ai sqaron se Qeveria dhe EULEX-i janë marrë vesh që në veri të themelojnë një njësi speciale shumetnike, e cila do t'i luftonte aktivitetet kriminale, kurse dërgimi i njësive të Policisë Speciale të Kosovës në veri, për çka kishte reaguar Tadiç, sipas Rexhepit, vjen në shprehje vetëm gjatë ndonjë operacioni të rrezikut të lartë.

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Bajram Rexhepi, i cilëson të frustruara deklaratat e presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, i cili ka reaguar ndaj pohimeve të ministrit Rexhepi lidhur me masat që parashihen të ndërmerren në veri, duke i cilësuar ato si deklarata “luftënxitëse”. Ministri Rexhepi thotë se Tadiç nuk e ka interpretuar mirë deklaratën e tij dhe ka provuar sërish që të nxisë komunitetin serb në Kosovë. “Kjo është një deklaratë e frustruar e Tadiçit, i cili edhe më tutje ka iluzione për Kosovën. Ai nuk mund të interferojë në punët tona të brendshme se çka dhe si bëjmë ne për vendosjen e rendit dhe ligjit”. “Prandaj, ai le t’i interpretojë pak më mirë deklaratat dhe le t’i shikojë problemet e veta, sidomos pas debaklit që pësoi në Nju Jork. Kjo është për opinion të brendshëm dhe si e tillë ka dalë deklaratë e pamatur e tij”, thotë Rexhepi. Në anën tjetër, presidenti serb, Tadiç, i ka vlerësuar si kërcënim të hapur për luftë deklaratat e ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, sidomos paralajmërimet që, sipas tij, i kishte bërë Rexhepi për dërgimin e njësive speciale të policisë në veri. Tadiç ka deklaruar se institucionet e Kosovës do të jenë përgjegjëse për pasojat katastrofale që do t’i sillte realizimi eventual i këtyre kërcënimeve. Një sqarim lidhur me veprimet në veri tashmë e ka kumtuar edhe shefi i misionit të EULEX-it, Iv de Kermabo. Në deklaratën e tij, mes tjerash, thuhet se “nuk ka pasur asnjë marrëveshje lidhur me dërgimin e Njësiteve Speciale të Policisë në atë zonë dhe se EULEX-i po punon me të gjitha palët drejt themelimit dhe trajnimit të një njësiti special policor shumetnik”.

Ministri Rexhepi thotë se ishte keqinterpretuar në disa media, pasi që edhe ai thotë se bëhet fjalë për një njësi policore shumetnike, e cila do të luftonte krimin dhe kontrabandën në atë pjesë. Kurse, në rast nevoje, nuk e përjashton mundësinë që gjatë ndonjë operacioni në veri të dërgohen edhe njësitë e Policisë Speciale të Kosovës. “Ne në takimet tona jemi marrë vesh që të themelohet forca shumetnike. Ata ekzistojnë, por duam të fusim edhe komponentin e komunitetit serb, që të mos krijohet përshtypja se është e drejtuar kundër komunitetit serb. Ajo është e drejtuar kundër kriminelëve, pavarësisht cilit etnicitet i përkasin”. “Me kërkesë të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, nëse ka nevojë gjatë operacioneve me rrezik të lartë, atëherë njësitë speciale mund të veprojnë në çdo pjesë të territorit të Kosovës”, thekson Rexhepi. Përmes një komunikate me shkrim, edhe Këshilli Kombëtar Serb ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit Rexhepi. Deklarata e tij dhe masat e paralajmëruara në veri nga ky këshill, janë vlerësuar si “shpallje e hapur e luftës kundër serbëve të veriut”. Ndërkohë, opozita në Prishtinë i kërkon Qeverisë që t’i koordinojë hapat me komunitetin ndërkombëtar, sidomos EULEX-in dhe KFOR-in, në mënyrë që problemi i veriut të trajtohet si çështje e mungesës së sundimit të rendit dhe ligjit. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, kritikon edhe ministrin Rexhepi, duke i kërkuar atij që në vend të deklaratave politike, t’i fillojë veprimet për kthimin e rendit dhe ligjit në veri.

“Agjenda e Beogradit vazhdon të ketë si qëllim destabilizimin e Kosovës. Por, vlerësojmë se është edhe një gabim elementar i ministrit Bajram Rexhepi, i cili mendon ta bëjë sundimin e ligjit vetëm përmes deklaratave politike. Dhe, si të tilla, i dëmtojnë të gjitha proceset. Është shumë me rëndësi të veprohet dhe të mos flitet”, deklaron Ramadani. Përndryshe, shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo, ka vlerësuar se pas incidenteve të fundit, situata në pjesën veriore të Kosovës është e qetë, duke kërkuar nga të gjitha palët e përfshira të përmbahen nga çfarëdo lloj aktiviteti që do të mund të shihej si provokim i mundshëm. /RFE/

KOMENTE