English

Ministri Imami Përuron Tre Ura "Bejli" Në Komunën Margegaj Ne Tropoje

TIRANË, 10 Korrik/ATSH/.- Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami duke përuruar të premten tre ura "Bejli" në komunën Margegaj në Tropojë, të ngritura me mbështetjen e forcave xheniere të Brigadës së Mbështetjes Rajonale, çmoi dorëzimin e tyre si një shenjë që simbolizon marrëdhënien e shkëlqyer mes komunitetit dhe Forcave të Armatosura. Duke folur për kontributin e FA-së në operacionet paqeruajtëse në Irak, Bosnje-Hercegovinë, Çad dhe Afganistan, në kuadër të angazhimeve si vend anëtar i NATO-s, ministri Imami tha se "ushtria shqiptare sot është në një fazë reformimi, e cila ka kriter bazë kthimin e një ushtrie tërësisht profesioniste". Ndërtimi i tre urave tip "Bejli" në komunën Margegaj zgjati rreth dy javë. Ura e parë është ndërtuar në fshatin Koçan me gjatësi 21 metër linear, me seksion 2/1 dhe me peshëmbajtje rreth 24 ton. Ura e dytë është ngritur pranë fshatit Dragobi, me gjatësi 30 metër linear, me seksion 2/1 dhe me peshëmbajtje rreth 24 ton, ndërsa e treta është ndërtuar pranë komunës Margegaj, me të njëjtat parametra. Të tre urat, e ndërtuara përgjatë aksit të rrugës Dragobi-Çerem do t'i shërbejnë një komuniteti të gjërë të fshatrave të sipërpërmendura, për të kaluar përmes bjeshkëve dhe për të shfrytëzuar gjithnjë e më mirë këtë zonë të pasur turistike. Puna dhe kontributi i FA-së në rrethin e Tropojës ka nisur vite më parë. Vetëm në komunën Margegaj me forcat dhe mjetet xheniere janë ndërtuar rreth 55 km rrugë e re dhe përmirësim i atyre ekzistuese, ku mbi 70% e punimeve janë hapje rrugësh të reja. /a.s//a.ke/
KOMENTE