English

Operacioni i koduar “Bliri”, zbulohen plantacione marihuane (FOTOT)

Shikoni të gjitha fotot te Galeria

Gjirokastër, 10 Korrik 2010 NOA - Antidroga në Gjirokastër ka zbuluar sasi të mëdha marihuane duke arrestuar dhe dy të dyshuar si kultivues të drogës që ende bën kërdinë në rajonin jugor të vendit, sidomos në Lazarat.

Kurse dy persona nga fshati Asim Zeneli i rrethit Gjirokastër u arrestuan për ”Kultivim të bimëve narkotike”, pas sekuestrimit të 154 rrënjë bimë “Kanabis Sativa”.

Aksioni i sotëm erdhi në vijim të Operacionit të Koduar “Bliri”, të nisur dje në Tepelenë ku u arrestuan kryeplaku i fshatit Peshtan dhe një polic pyjor. Policia raportoi se operacioni është shtrirë edhe në komunat e Rrethit Gjirokastër dhe konkretisht në Komunën Antigone të rrethit Gjirokastër.

Rreth orës 15.00, forcat e Policisë së Komisariatit të Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me Seksionin Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër mbi bazën e informacioneve të grumbulluara gjatë fazës evidentuese: se në fshatin Asim Zeneli të Komunës Antigone në disa shtëpi kishte bimë narkotike të mbjella, kanë zhvilluar një kontroll të imtësishëm në të gjitha banesat e fshatit Asim Zeneli.

Si rezultat i këtij kontrolli u arrit që të evidentoheshin dy parcela të kultivuara me bimë narkotike në dy banesa dhe konkretisht:

Në banesën e shtetasit Artur Cika, u evidentuan 47 rrënjë bimë narkotike të kultivuara në bahçen e shtëpisë së tij , të cilat varionin nga një metër deri në një metër e 50 centimetra të larta.

Si dhe në baçen e banesës të shtetasit Meleq Shosha, u evidentuan 107 rrënjë bimë të dyshuara si Kanabis Sativa, të cilat Shosha në momentin që ka parë forcat e policisë ka filluar ti shkatërrojë vetë por është arrestuar në flagrancë nga forcat e policisë.

Antidroga konfirmoi se është bërë asgjësimi i këtyre bimëve, por edhe janë marrë një sasi bimësh në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi në flagrancë i:

Artur Cika, i datëlindjes 1973, banor i fshatit Asim Zeneli.

Meleq Shosha, i datëlindjes 1946, banor i fshatit Asim Zeneli.

Arrestimi i tyre është bërë për veprën penale të ”Kultivimit të bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

Burime zyrtare nga policia e Gjirokastrës, i thanë agjencisë NOA se operacioni antidrogë erdhi “në zbatim të Planit të masave për “Organizimin e punës dhe kryerjen e operacioneve policore, për identifikimin dhe asgjësimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike Kanabis Sativa dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të kësaj vepre penale”.

“Operacioni vazhdon dhe do të shtrihet në të gjitha komunat e qarkut Gjirokastër”, - i tha agjencisë NOA, Gentian Mullai , Zëdhënës i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër.

v.d/r.n/NOA

KOMENTE