English

Pahor: Shqipëri-Slloveni, nuk ekziston asnjë problem dypalësh

Dubrovnik, 10 Korrik, NOA – Midis Sllovenisë dhe Shqipërisë nuk ekziston asnjë problem dypalësh e prandaj, këto dy vende duhet ta zgjerojnë bashkëpunimin e tyre bazuar në këtë traditë të mirë të tyre.

Një fakt të tillë, kryeministri i Sllovenisë Borut Pahor ia ka komunikuar homologut të tij shqiptar, Sali Berisha, gjatë një takimi në Dubrovnik, gjatë ditës së dytë të Samitit që u zhvillua në këtë qytet të Kroacisë.

Gjatë takimit, Pahor shprehu dëshirën për të vizituar Shqipërinë brenda këtij viti me qëllim për të parë mundësitë e fuqizimit të marrëdhënieve shumë të mira ekzistuese midis të dy vendeve, me theks të veçantë në forcimin e bashkëpunimit ekonomik.

Ai u shpreh shumë i interesuar për investime sllovene në Shqipëri, duke vlerësuar lart pozitën gjeopolitike dhe ekonomike të saj në rajon.

Nga ana e tij, kryeministri Berisha i shprehu homologut slloven kënaqësinë për realizimin në të ardhmen të kësaj vizite dhe gatishmërinë për të mbështetur investitorët sllovene në të gjitha fushat me interes dypalësh.

Sikundër, e falënderoi për mbështetjen e Sllovenisë në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin evropian.

n.e/NOA

KOMENTE