English

Plazhet, Të Gjithë Së Bashku Për T'I Mbajtur Pastër.

TIRANË, 10 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Shqipëria shquhet për bukuritë e jashtëzakonshme të vijës së saj bregdetare përgjatë Adriatikut dhe Jonit, por shpesh herë kjo pamje prishet nga mbetjet e hedhura vend e pa vend. Kjo problematikë ngrihet veçanërisht në prag të sezonit veror dhe gjatë tij, kur plazhet frekuentohen nga pushuesit e shumtë. Në hapje të sezoneve verore, njësitë e qeverisjes vendore ndërmorrën aksione për pastrimin e tyre nga mbetjet, sikurse Bashkia Durrës, Shëngjin, etj, por me sa duket kjo nuk mjafton për t'i patur plazhet tona jo vetëm të bukur, por edhe të pastër. Bashkia e Durrësit p.sh. nisi pastrimin e plazheve me largimin e leshterikut nga bregu, materialeve inerte dhe mbetjeve te shumta urbane. Më pas, sipas autoriteteve bashkiake, u vijua me "krehjen" e rërës, punimi e më tej dezifektimi i saj nga bakteret dhe insektet. "Masa urgjente për pastrimin e zonave turistike nga papastërtitë dhe automjetet e dala jashtë përdorimit në anë të rrugëve", kërkoi dhe Kryeministri Sali Berisha, gjatë punimeve të një prej mbledhjeve të Qeverisë në prag të sezonit veror. Ndërkohë, u ngrit dhe një Task-Force, e drejtuar nga Kryeministri pikërisht për këtë çështje. Nga ana tjetër, autoritetet lokale dhe shoqëria civile nisën një sërë aksionesh për pastrimin e plazheve. Por, ky është një hap i parë, pasi, sipas Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, "po shkojmë në politika që nuk do të zhvillohen me aksione, por me plane konkrete, të qëndrueshme, në mënyrë që të mos i kemi situata të tilla më në bregdetin tonë". Të dhënat nga MMPAU tregojnë se situata në prag të sezonit veror ishte problematike pothuajse përgjatë gjithë vijës bregdetare, me praninë e mbetjeve të ngurta, por vende- vende edhe vatra me mbetje të ndryshme, kryesisht urbane, të krijuar edhe nga personat gjatë shëtitjeve në bregdet, por dhe nga banorët etj. Por, mbetjet urbane, sidomos gjatë sezonit veror, janë një kërcënim serioz për ndotjen e ujërave detare, apo banjatorë. Në mjaft raste, në plazhe gjen mbeturina që hidhen kudo, shishe që thyhen e lihen gjithandej, çka do të thotë jo vetëm një pamje joestetike, por rrezik për shëndetin e pushuesve. Drejtues të shëndetësisë apelojnë për të gjithë qytetarët që dhe ata vetë të tregohen të kujdesshëm për higjienën personale dhe mjedisit ku ata pushojnë. "Ata duhen të kenë kujdes në radhë të parë për shëndetin e tyre, çka është njëherësh dhe detyrimi ynë, por duhet të kujdesen dhe ata vetë, që ndihma jonë e specializuar shendetesore të jetë më efektive", tha sot për ATSH-në Drejtori i Politikave dhe Planifikimit Shnëdetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Ndërkohë, plazhet me cilësinë më të mirë të ujrave të larjes, sipas raporti të fundit të Vlerësimit të Gjendjes në Mjedis (2009), janë plazhet e Dhërmiut, Himarës, Borshit, Velipojës dhe Shëngjinit. Brenda normave të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Programit për Mjedisin të Kombeve të Bashkuara (UNEP), janë zona e Jonufrit dhe e Radhimës. Vlerësimi i cilësisë së ujërave bregdetare të larjes në plazhet e Velipojës, Shëngjinit, Durrësit, Kavajës, Vlorës, Sarandës, Dhërmiut, Himarës dhe Borshit, sipas MMPAU-së, u krye në 71 stacione kampionimi në zonat më të frekuentuara gjatë sezonit të plazhit në të gjithë linjën bregdetare të vendit tonë. - Edukimi - Situata problematike e mbetjeve nuk duhet parë thjesht dhe vetëm e lidhur me pushtetet, qendror apo lokal, pasi vatrat e ndyshme të mbetjeve shpesh krijohen nga pushuesit, sidomos ata ditorë, apo banorë në zonë. "Para së gjithash, ne duhet të marrim masa emergjente dhe Qeveria po punon në këtë drejtim. Ky nuk është vetëm një veprim për të pastruar zonat bregdetare, por mbi të gjithë një veprim edukativ", tha për ATSH-në zv/ministri i Mjedisit, Taulant Bino. Edukimi i njerëzve është një nga elementët e domodoshëm për të patur plazhe të pastra. Njerëzit ankohen për mosvendosje të koshave, por dhe kur këta të fundit gjenden në plazhe, ndodh që mbeturinat të lihen ngado. "Edukimi dhe mbajtja pastër e ambjenteve ku rrimë duhet të nisë nga vetë ne. Nëse vetë jemi të ndërgjegjshëm se e bëjmë mirë 'detyrën' tonë, atëherë duhet të kërkojmë më shumë dhe më me forcë nga Qeveria të na plotësojë kërkesat", thotë një 55 vjeçare, frekuentuese e plazhit publik në Durrës. Durrësi është plazhi më i madh dhe më i frekuentuar në sezonin veror. Këtë verë, sipas autoriteteve vendore, do të ketë edhe më tepër kosha në rërë, për të mundësuar një brez më të pastër ranor. - Ujërat e zeza - Një ndër faktorët kryesore të ndotjes së ujërave bregdetare të larjes janë shkarkimet e ujërave të zeza të patrajtuara në ujërat pritëse bregdetare, direkt ose indirekt. Nisur nga kjo, gjatë viteve të fundit, me fondet e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe të Qeverisë u planifikuan dhe janë në ndërtim, ose janë përfunduar, veprat e trajtimit të ujërave të përdorura në qytetet kryesore bregdetare të vendit tonë si, në Shkodër, Lezhë, Durrës, Vlorë, Kavajë, Sarandë, Pogradec. Plani i ndërtimit të impianteve të trajtimit të ujit të ndotur të kanalizimeve (2005-2009) përfshin 11 projekte për ndërtimin e impianteve të trajtimit në qytete të ndryshme të vendit, me një kosto prej 111 milion euro, të financuar nga Qeveria, në bashkëpunim me donatorët. Projekte që do të janë në proces janë ato në Kavajë-Plazh, si dhe në Tiranë, ndërsa popullsia e shërbyer është përkatësisht 250 mijë dhe 850 mijë banorë. - Të dhëna - Vija bregdetare, rreth 450 km e gjatë, konsiderohet një prej pasurive më të rëndësishme të vendit, me potencial për të gjeneruar përfitime të ndjeshme ekonomike, por dhe që kontribuojnë në zvogëlimin e varfërisë në këto zona. Vija jonë bregdetare ka një karakter të ndryshueshëm dhe është e pasur me forma të shumëllojshme, që nga plazhet ranore, kepat, gjiret e mbrojtura, lagunat, plazhet e vegjël zallore, shpellat detare etj. Ndërsa, disa zona janë ende mjaft të pastra nga pikëpamja ekologjike, duke përfaqësuar zona të rralla, ende të paprekura në pellgun e Mesdheut. Plazhet e shumta të Jonit, midis detit dhe shkëmbinjve të thyer dhe ata të Adriakut me rërë e ujëra të cekët bregdetare të Jonit, e bëjnë bregdetin vend tërheqës për turistët dhe me potencial për zhvillimin e turizmit. Pikërisht, për këtë potencial turistik që të ofron bukuria e natyrës shqiptare, Qeveria ka marrë masa per përmirësimin e infrastrukturës, furnizimin e pandëprerë me drita e ujë, për t'u garantuar pushuesve, vendas dhe të huaj, pushime sa më të mbara. Por, pavarësisht resurse të jashtëzakonshme dhe promovimit të turizmit shqiptar, ndikimi në mjedis i aktivitetit ekonomik në rritje, migrimit të pakontrolluar dhe popullsia në rritje në rajonin bregdetar, urbanizimit, përbëjnë kërcënime për zonën bregdetare. Brenda kontekstit të gjerë të detit Mesdhe, deti Adriatik dhe deti Jon janë relativisht të pastër. Në përgjithësi, Deti Mesdhe dhe bregdeti i tij, për vetë pozicionin e tij gjeografik, janë të ekspozuar ndaj efekteve negative si rezultat i aktivitetit të njeriut në mjedisin tokësor e detar. /a.ke/
KOMENTE