Ps: Hetimi I Zgjedhjeve Përmes Një Komisioni Të Ri Hetimor
TIRANË, 10 Korrik/ATSH/.- Partia Socialiste deklaroi sot se hetimi i zgjedhjeve duhet bërë përmes ngritjes së një komisioni të ri parlamentar.
"Parlamenti Europian kërkon ngritjen e një komisioni të ri hetimor, duke e bërë nul përfundimisht komisionin e Saliut. Komisioni i ri hetimor duhet të ketë rregulla të qarta, shumicë të opozitës dhe të drejtohet nga opozita. Rezoluta e Parlamentit Europian shkon edhe më tej, duke kërkuar që komisioni i ri hetimor, me shumicë dhe kryetar të opozitës, të ketë mandat për të hetuar materialet elektorale të zgjedhjeve të fundit", tha sot për mediat deputeti i PS-së, Taulant Balla.
Ai ripërsëriti qëndrimin e opozitës se "zgjidhja e krizës politike kalon vetëm përmes hetimit dhe bërjes së transparencës së zgjedhjeve të kaluara, jo për të ndryshuar rezultatin, as për të rinumëruar votat, por për të kuptuar manipulimet që kanë ndodhur më 28 qershor".
Më 19 maj, pas një debati parlamentar që zgjati dy ditë Kuvendi miratoi me votat e maxhorancës ngritjen e një komisioni hetimor që do të bënte transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Opozita, që kishte kërkuar me këmbëngulje hetimin e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive të votimit, refuzoi të bëhej pjesë e këtij komisioni. /a.s//a.ke/