English

PS, Imeraj: Prifti shtoi pasurinë më 1.8 milionë euro, në vitin e krizës për shqiptarët

Tiranë, 10 Korrik 2010 NOA – Partia Socialiste akuzoi sot se “nuk është vetëm 1, por janë disa ministra, funksionarë të lartë dhe familjarë të anëtarëve të kabinetit të Sali Berishës, që vetëm gjatë vitit të fundit kanë shtuar disa herë pasurinë e tyre”.

Armeja Imeraj, zëdhënëse e PS, para pak minutash doli para mediave me akuza direkte duke u përqendruar tek Drtian Prifti, ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

“Ndërkohë që për shqiptarët viti i fundit ka qenë viti i varfërimit, për Dritan Priftin ka qenë viti ku pasuria e tij është shtuar me 1,8 milionë euro”, - deklaroi Imeraj.

Kurse shtroi pyetjet: “Çfarë është ky ministër që brenda 1 viti e shton pasurinë në mënyrë të pakuptueshme, ndërkohë që shqiptarët të cilëve ai duhet tu shërbente janë varfëruar dhe përballen me rritje të paimagjinueshme çmimesh. Si mund të justifikohen këta njerëz të cilët shfrytëzojnë postin dhe detyrën jo për të bërë pune për shqiptarët por për të abuzuar dhe për të mbushur xhepat e tyre, si në rastin e Ministrit Prifti me plot 1,8 milionë euro”.

Për më tepër, ka akuzuar Imeraj, “dhe çfarë është më e tmerrshmja, se këta njerëz as nuk marrin mundimin të paguajnë detyrimet e taksave shtetit që ata vetë drejtojnë”.

Zëdhënësja e PS theksoi duke përfunduar se “ky është vetëm 1 ndër rastet flagrante të njerëzve të afërt me Sali Berishën që duhet të japin llogari para organeve të drejtësisë dhe përpara gjithë shqiptarëve për abuzimin që kryejnë çdo ditë me detyrën”.

r.n/NOA

KOMENTE