English

Rajoni Ynë Do Të Jetë Pjesë E Një Evrope Të Plotë Dhe Të Lirë

-Theksoi zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë panelit "Vizioni i ardhshëm për Evropën Juglindore" në Dubrovnik - TIRANE, 10 Korrik/ATSH/.- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, theksoi sot në Dubrovnik (Kroaci), gjatë panelit "Vizioni i ardhshëm për Evropën Juglindore", se 10 vjet pas Samitit të Zagrebit, rajoni është në paqe dhe më i stabilizuar se kurrë dhe do të jetë pjesë e një Evrope të plotë dhe të lirë. Drejtoria e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se duke e marrë fjalën në këtë panel zv/Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, theksoi se "pajtimi dhe rindërtimi na kanë çuar drejt një rruge të pakthyeshme evropiane", duke shtuar se integrimin përmes reformave të thella e kemi zgjedhur si prioritetin tonë kombëtar dhe të përbashkët. Ky realitet i ri, vuri në dukje z. Meta, është rezultati i pozicionit të qartë dhe të fortë të vendeve anëtare të BE-së në mbështetje të zgjerimit. "Kjo mbështetje ka qenë e prekshme për disa vende në rajon, duke siguruar një bazament të fortë për anëtarësimin e ardhshëm të vendit tim, Shqipërisë, dhe për të tërë rajonin në këtë drejtim. Kur kjo të arrihet, Evropa do të jetë me të vërtetë e plotë dhe e lirë", tha shefi i diplomacisë shqiptare. Nga ana tjetër, sipas tij, ky proces dhe e ardhmja e tij nuk janë thjesht dëshira. "Është një ndërmarrje komplekse që ka nevojë të përfundohet përmes arritjes së standardeve të larta të 'qeverisjes së mirë', zgjerimit të bashkëpunimit rajonal, reformave të tregut dhe sociale, kufijve të sigurt dhe transparentë, varësisë së ndërsjelltë ekonomike dhe rrugë të lira për shkëmbime intensive", tha z. Meta. Sot, ne nuk luftojmë më kundër njëri-tjetrit, por beteja nuk ka përfunduar ende, u shpreh z. Meta. Sipas tij, kjo është një tjetër betejë, është beteja kundër urrejtjes, ndarjeve etnike, prapambetjes, varfërisë, krimit të organizuar dhe korrupsionit, terrorizmit dhe sfidave globale, të cilat po i luftojmë së bashku, në emër të aspiratave dhe integrimit evropian të kombeve tona. Kjo është gjithashtu beteja për miqtë tanë në Bosnje-Hercegovinë, tha zv/kryeministri Meta, duke bërë të ditur se nesër do të jetë në Srebrenicë, bashkë me shumë personalitete të tjera, për të përkujtuar 15-vjetorin e një prej momenteve më të hidhura në historinë e rajonit tonë: masakrën tragjike të mijëra qytetarëve të pafajshëm, një akt barbar i frymëzuar nga çmenduria e urrejtjes për ata që janë ndryshe. Duke folur për procesin e heqjes së vizave për Bosnjën dhe Shqipërinë brenda këtij viti, që u konfirmua disa ditë më parë në Bruksel, së bashku me tre vendet e tjera që po përfitojnë nga i njëjti regjim që prej ditës së parë të këtij viti, Meta tha se e njëjta gjë vlen edhe për Kosovën, shtetin më të ri të rajonit tonë dhe të Evropës. Ai theksoi se "njohja e mëtejshme e tij prej vendeve anëtare të BE-së dhe perspektiva e qartë integruese, janë shumë të rëndësishme për stabilitetin e rajonit tonë". Sipas shefit të diplomacisë shqiptare pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve është kyç për të ardhmen e rajonit tonë, duke shtuar se "Shqipëria u kushton rëndësi të veçantë marrëdhënieve tona me Serbinë". Duke folur për bashkëpunimin ekonomik rajonal Meta tha se rajoni është i etur për rimëkëmbje ekonomike në këto kohë krize globale. "Rrjeti infrastrukturor strategjik dhe i ndërlidhjeve energjetike, është i pazëvendësueshëm për rritjen ekonomike dhe për të themeluar një treg të përbashkët me stabilitet të gjerë dhe interes të shtuar për investimet e rëndësishme potenciale", tha zv/kryeministri Meta. Në këtë kontekst shefi i diplomacisë shqiptare kërkoi që të përdorim instrumentet financiare të BE-së në maksimumin e kapaciteteve të tyre. "BE ofron mbështetje të mjaftueshme financiare për t'i përgatitur vendet për anëtarësim dhe për të shmangur efektet nga kriza financiare. Gjithashtu ka inkurajuar projekte rajonale përmes RCC, CEFTA, etj. Por, mund të bëjë më shumë për të injektuar investime të rëndësishme, veçanërisht në infrastrukturë, energji, teknologji, informacion dhe inovacion", tha z. Meta. /s.s./
KOMENTE