Reforma Ne Drejtesi/ Ngritja E Sherbimit Përmbarimor Privat, Hap Cilësor
- Flet për ATSH-në ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani -
TIRANË, 10 Korrik/ATSH- Andi Myrte/.- Shërbimi Përmbarimor Privat do të nisë shumë shpejt punën e tij në fushën e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore. I ngritur me nismën e ministrisë së Drejtësisë, si pjesë e reformës në drejtësi, ky shërbim do të funksionojë paralelisht me atë Përmbarimor Publik, si një mundësi më e madhe për ekzekutimet në kohë të shpejtë të vendimeve gjyqësore.
Në një prononcim per ATSH-në, Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, tha se, "futja në funksionim e këtij shërbimi të ri do të jetë një hap cilësor dhe një mundësi më e madhe në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore".
Sipas tij, "Ministria e Drejtësisë është në fazën e kualifikimit të personave, që kanë aplikuar për të ushtruar funksionin e përmbaruesit privat. Liçensat për ta do të jepen nga një komision i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtesise, Shkollës së Magjistraturës dhe Shërbimit Përmbarimor Publik".
Me ngritjen e trupës së Përmbaruesve Private do të përcaktohen dhe tabelat e tarifave të Shërbimit.
Duke shprehur besimin se shërbimi i ri do ta përmirësojë më tej standartin e ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore në Shqipëri, kreu i Ministrisë së Drejtësisë, Nishani premtoi angazhim për shtrirjen e tij në të gjithë Republikën.
Por reforma në këtë fushë nuk ndalet këtu, pasi ministria e Drejtësisë është angazhuar në hartimin e një regjistri elektronik me informacionin e saktë për vendimet gjyqësore.
"Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Zyrën e Përmbarimit Publik, ka nisur punën për hartimin e një regjistri elektronik me vendimet gjyqësore", tha ministri Nishani, ndërsa vuri në dukje se, një nismë e tillë do të rrisë transparencën e procesit mbi ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
- Shërbimi Përmbarimor Privat-
I miratuar pak kohë më parë nga Qeveria dhe Kuvendi, Shërbimi Përmbarimor Privat do të ketë të njëjta atribute si ai shtetërori, një model që gjendet në disa nga shtetet e Bashkimit Evropian.
Ky shërbim nuk do të jetë në varësi të ndonjë institucioni shtetëror, por do të funksionojë me vetëorganizim, ashtu siç është organizuar sot Dhoma Kombetare e Avokatise apo e Noterisë. Edhe përmbaruesit privatë do të kenë Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve dhe ato lokale. I konsideruar si një aletrnativë më shumë për qytetarët e më gjerë, Shërbimi Përmbarimor Privat mendohet se do të përmirësojë më tej punën në shërbimin përmbarimor.
Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht niveli i numrit te ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore, llogaritet në masën e 70%. Me funksionimin e shërbimit privat mendohet që rezultatet të jenë më të mira.
Jo rrallë herë në ministrinë e Drejtësisë, por dhe institucione të tjera shteterore ka patur ankesa nga qytetarët për ecurinë e ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore, përgjithësisht për çështje të fushës civile. /a.ke/