English

Sekretari I Përgjithshëm I Ppe: Miratimi I Rezolutës Nga Pe Shënjë E Qartë Mbështetjes Për Përpjekjet E Shqipërisë Në Procesin E Integrimit Evropian

TIRANE, 10 Korrik/ATSH/.- Sekretari i Përgjithshëm i Partive Popullore Evropiane, Antonio López-Istúriz, eurodeputeti Antonio López-Istúriz, gjatë takimit me Kryeministrin Berisha gjatë Samitit të Dubrovnikut, theksoi se "miratimi i rezolutës për Shqipërinë nga Parlamenti Evropian ishte një shenjë e qartë mbështetje për përpjekjet që Shqipëria ka bërë në procesin e integrimit evropian dhe mbështetjen që PPE i jep qeverisë së drejtuar nga zoti Berisha". Zyra e shtypit e qeverisë bëri të ditur se Kryeministri Berisha falënderoi PPE-në, grupin e saj parlamentar dhe drejtuesit e tyre, Martens dhe Daul, për rolin, kontributin dhe mbështetjen e pandërprerë në favor të qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Berisha dhe Shqipërisë në përgjithësi, sidomos në lidhje me proceset e integrimit dhe liberalizimit të vizave. Kryeministri e informoi z. Lopez-Isturiz mbi progresin ekonomik të vendit, pavarësisht krizës ekonomike dhe vështirësive ekonomike që ajo ka sjellë, proceset e reformave në vend, procesin e suksesshëm zgjedhor të 28 qershorit, i cili arriti shumicën e standardeve ndërkombëtare dhe situatën e krijuar nga Partia Socialiste pas humbjes në zgjedhje. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u ndal në ofertat që maxhoranca ka bërë me qëllim arritjen e kompromisit politik, por që kanë ndeshur në refuzim të paarsyeshëm nga opozita. Zoti Lopez-Isturiz e falënderoi Kryeministrin për ekspozenë dhe mbështeti fokusin e qeverisë në procesin e reformave dhe zgjidhjen e problematikave. /s.s./
KOMENTE