Serbi: Skandal Farmaceutik Me Citostatikët, Arrestohen Disa Zyrtarë
TIRANË, 10 Korrik/ATSH/ - Disa zyrtarë të Institutit Onkologjik dhe Radiologjik të Serbisë u arrestuan rreth 10 ditë më parë, pasi dyshohen të kenë marrë ryshfete nga kompanitë farmaceutike gjatë një periudhe dy vjeçare.
Ky skandal farmaceutik, sipas agjencive disa të lajmeve (Balkaninsight, Tanjug dhe Beta) ka përfshirë drejtorin e Institutit Onkologjik dhe Radiologjik te Serbise, Nenad Borojevic dhe disa prej kolegëve të tij, të cilët dyshohen se kanë marre më tepër se gjysmë milion euro ryshfete.
Po sipas agjencive të lajmeve, gjatë një fjalimi para Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri në parlamentin serb ditët e fundit, ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic, konfirmoi informacionin mbi arrestimin e shtatë personave dhe faktin se policia ishte rreth 14 muaj që hetonte mbi këtë çështje. "Ata dyshohen se kanë rekomanduar, përmes dhënies së recetave mjekësore, përdorim të tejkaluar të barnave për pacientët, me qëllim shtimin e shitjes së tyre", u shpreh ministry Dacic.
Sipas informacioneve të policisë, të dyshuarit akuzohen për favorizim të disa prej kompanive farmaceutike në procesin e liçensimit për hedhjen në treg të një trajtimi mjekësor për kancerin, në këmbim të ryshfeteve. Të sëmurëve me kancer u rekomandohej vazhdimisht një dozë e konsiderueshme më e lartë citostatikesh nga e nevojshmja, me qëllim, shtimin e konsumit të barnave të kompanive farmaceutike, me të cilat kishin lidhje te akuzuarit.
Ministri serb i Shëndetësisë, Tomica Milosavljevic, referuar agjencive të lajmeve, deklaroi se ministria nuk kishte nën mbikqyrje asnjë institucion dhe se ekzistojnë procedura specifike dhe një protokoll i posaçëm kur bëhet fjalë për liçensimin e hedhjes në tregun farmaceutik të citostakëve, procedura që duhen respektuar. "Nëse ka pasur shkelje të procedurave apo 'manovra jo të pastra', kjo i takon autoriteteve përkatëse ta zbulojnë," u shpreh Milosavljevic, për televizionin RTS.
Ndërsa, në një deklaratë të Institutit, lidhur me arrestimin e punonjësve të tij, thuhet se ata "ka qenë pjesë e procesit të themelimit dhe përfaqësimit në nivele të larta të Institutit të Onkologjisë në Serbi dhe jashtë saj, fakt që është konfirmuar nga një numër i konsiderueshem autoritetesh jo te lidhura me institucionet tona, në vend po ashtu edhe jashtë Serbisë". /i.p/ /e.ç/ //n.m/