English

Shënim - Bosnje - Pesëmbëdhjetë Vjet Më Parë Masakra E Srebrenicës

ROMË, 10 korrik /ATSH-ANSA/ - Pesëmbëdhjetë vjet më parë Evropa ka parë një nga ngjarjet më të errëta të historisë së saj. Ndërmjet 11 dhe 18 korrikut të vitit 1995 u përgatit masakra e pashpirt e Srebrenicës, një nga mizoritë më tronditëse të luftës në Bosnje-Hercegovinë (1992-1995), që i kushtoi jetën 8300 personave sipas shifrave zyrtare, ndërsa sipas burimeve të tjera lokale, të vrarët janë më shumë se dhjetë mijë. Gjatë atyre ditëve trupat serbo-boshnjake, nën urdhrat e gjeneralit Mlladiç, hynë në qytetin e Srebrenicës dhe masakruan popullsinë myslimane. Kur serbo-boshnjakët hynë në qytet, më shumë se 40 mijë banorë u strehuan në bazën e OKB-së në Potocari, në veri të qendrës urbane. Rreth 7000 persona arritën të hynë në zonën e bazës, që drejtohej nga rreth 100 kaska blu holandeze, të cilat duhet ta mbronin qyteti që ishte deklaruar nga OKB-ja si zonë e mbrojtur. Të tjerët qëndruan jashtë. Pas ardhjes së serbo-boshnjakëve kaskat blu nuk ndërhynë, ndërsa Mlladiç i ndahu burrat nga gratë dhe fëmijët, të cilët më pas u internuan. Burrat, sipas dëshmive të të mbijetuarve dhe sipas akuzës së Gjykatës Penale Ndërkombëtare (TPI) për ish-Jugosllavinë, u ekzekutuan me gjakftohtësi. Trupat e tyre u varrosën në vare masive. Me mijëra civilë u arratisën në qendrat e banuara përreth. Milicitë serbo-boshnjake filluan një operacion të madh "gjuetie" dhe kapën me mijëra. Grupe me nga 200-300 civilë u vunë në radhë dhe u ekzekutuan me breshëri kallashnikovësh. "Më 16 korrik, brenda katër orësh ekzekutuam 1200 civilë", do të deklaronte më vonë para TPI-së, Drazen Erdemoviç. Atë kohë Abid Efendiç ishte 54 vjeç, ishte strehuar në bazën e kaskave blu holandeze dhe si shumë të tjerë iu dorëzua njerëzve të Mlladiç. Arriti të shpëtonte sepse me fytyrën e tij plot rrudha dukej si një i moshuar 70 vjeçar. "Pashë me dhjetëra burra të therur në një fushë gruri, pashë koka të prera, vajza të përdhunuara nga dhjetëra ushtarë", dëshmon ai. "Na thërrisnin, 'myslimanë, ditë të zeza kanë ardhur për ju, nuk është më Tito që t'ju mbrojë!'", shton ai. Urdhri për ekzekutimin e burrave përfshinte të gjithë meshkujt mbi 12 vjeç. Presidenti i atëhershëm serb Karaxhiç dhe Mlladiç, pas masakrës arritën të pushtonin më shumë se 60 për qind të Bosnjes, por, si shumë herë të tjera në histori, serbët fitojnë luftën por humbin paqen. Pikërisht ajo masakër e bindi presidentin amerikan Bill Clinton të ndërhynte pasi tre vjet Evropa vëzhgonte e shmangur dhe e ndarë një tragjedi në portën e shtëpisë. Në pak muaj Uashingtoni arriti të çojë në tavolinën e Dejtonit myslimanët, kroatët dhe serbët, por rezultati u limitua në krijimin e një ndarje etnike, me krijimin e një vendi të ndarë në dy etni, Republika serbe, që përfshin edhe Srebrenicën dhe Federata kroato-myslimane. Kjo tragjedi rëndoi gjatë në ndërgjegjen e komunitetit ndërkombëtar. Për Srebrenicën, në prill të vitit 2002, qeveria holandeze e Wim Kok vendosi të dorëhiqej pasi Instituti për dokumentimin e luftës i cilësoi të përgjegjshëm së bashku me kaskat blua pasi nuk arritën të ndalnin masakrën. Komanda holandeze deklaroi më vonë se kishte kërkuar ndërhyrjen e avionëve të NATO-s për mbrojtjen e qytetit. Në tetor të vitit 1999, sekretari i atëhershëm i OKB-së, Kofi Annan, pranoi përgjegjësinë: "Tragjedia e Srebrenicës do ta përndjekë përgjithmonë historinë tonë". /e.v/
KOMENTE