Sport-Botëror/ Finalja Holandë - Spanjë, Trajnerët Ndezin Sfidën
TIRANË, 10 Korrik/ ATSH- Gjergji Mima/ - Në prag të finales së madhe të Kupës së Botës, "Afrika e Jugut 2010", Holandë - Spanjë, që do të zhvillohet nesër në mbrëmje në stadiumin "Soccer City" të Johanesburgut, të dy trajnerët e skuadrave kanë ndezur sfidën me deklaratat e tyre.
Trajneri i Holandës, Bert van Marvijk, pretendon se lojtarët e tij nuk kanë frikë nga ndeshja me Spanjën në finalen e Kupës së Botës.
Kampionia e Europës e nisi botërorin si favorite, por Van Marvijk, ekipi i të cilit ka fituar çdo ndeshje, tha se Holanda do të luajë me bindje në ndeshjen e fundit.
"Spanja e meritoi fitoren me Gjermaninë, ishte më lart dhe sipas mendimit tim ka skuadrën më të mirë në botë për momentin. Më pëlqen loja e tyre, por ne do të bëjmë tonën. Për spanjollët kemi respekt, jo frikë", u shpreh Van Marvijk.
Spanja do të shkojë në finale ku do të ndeshet me Holandën dhe trajneri i saj e di shumë mirë, që kjo përballje nuk do të jetë e lehtë. Për të dyja ekipet do të ishte hera e parë fitorja e Kupës së Botës.
Duke folur nga baza stërvitore e skuadrës spanjolle, Vicente del Bosque tha se "Holanda është e ngjashme me Spanjën, pasi ka lojtarë shumë teknikë në mesfushë. Sipas tij, "rivalët e të dielës janë shumë të rrezikshëm".
I njohur për karakterin e tij jo shumë festiv, Del Bosque u pyet se ç'kuptim do të kishte marrja e trofeut për Spanjën dhe përgjigjja e tij ishte, "Kënaqësi, asgjë më tepër. Nuk i shfaq shumë emocionet, por nuk e di vërtet si do të reagoja". /a.ke/