Sport-Dossier/ Futbolli, Histori 90 Vjeçare Në Shqipëri
TIRANË, 10 Korrik/ ATSH-Gjergji Mima/ - Teksa në vitin 1930 niste rrugëtimin e tij kampionati botëror në Uruguaj, në Shqipëri niste kampionati i parë shqiptar i futbollit.
Megjithatë edhe pse kampionatet kombëtare të futbollit në Shqipëri kanë nisur rrugën e tyre me atë të vitit 1930, futbolli në vendin tonë e ka zanafillën në fillimet e shekullit të kaluar.
Të rinjtë e kohës u "dashuruan" shpejt me topin dhe lojën topakambës (siç i thonin futbollit). Me një top të thjeshtë, fillimisht prej lecke, që me kohë u përmirësua me mënyra të tjera, ata luanin kudo, në rrugicat e lagjes, ndonjëherë edhe me gurë kalldrëmi, në bahçet dhe fushat ashtu si ishin, pa vizime e me porta të improvizuara. Ritmet e përhapjes qenë të shpejta, falë dashirës dhe pasionit, në radhë të parë të rinisë. Drejtues e kuadro të fizkulturës, autoritete lokale dhe qëndrore, financues, por edhe vetë futbollistët e tifozët, iu futën punës me vullnet, pasion e sakrifica.
Krijohen shoqëritë e para sportive që organizojnë dhe zhvillojnë ndeshje mes tyre, madje, edhe në qytete të tjera. Shumë shpejt koha do të kërkonte organizime të reja më të larta, edhe me disa sporte, nga bashkimet e shoqërive të vogla në Klube Sportive të qyteteve.
E para është Shkodra më 1920; në Durrës, Teuta më 1922; në Korçë, Skënderbeu më 1923. Rezultatet do të jenë të prekshme: shtohen ndeshjet ndërmjet ekipeve të qyteteve, rritet numri i futbollistëve dhe, më kryesorja, dalin në dukje mjaft futbollistë cilësorë, të cilët do të jenë krenaria e futbollit tonë të atyre viteve, duke mbetur kështu të përhershëm në historinë e futbollit shqiptar.
Disa nga këta bënë emër edhe në ekipet e shteteve fqinj si, në Itali, Malin e Zi etj. Futbollisti i SK Tiranës, Riza Lushta, luan fillimisht me Barin dhe pastaj me Juventusin, ku më 1942 është fitues i kupës së Italisë, ndërsa Naim Kryeziu (edhe ky i SK Tiranës), që luan me Romën, është kampion i Italisë po më 1942. Të dy titullarë të padiskutueshëm të dy klubeve me përmasa botërore, kjo dyshe legjendare përbën simbolin më autentik të futbollit shqiptar të viteve '30. Në serinë A të Italisë kanë luajtur, po me kaq dinjitet, edhe Loro Boriçi i Vllaznisë së Shkodrës dhe Sllave Llambi i SK Tiranës.
Pas këtyre zhvillimeve të vrullshme kishte ardhur koha që në vendin tonë të organizohen dhe të zhvillohen kampionatet kombëtare të futbollit. Kampionatet nisin rrugën e tyre në vitin 1930 ku 6 ekipe, Bashkimi Shkodran, SK Tirana, Teuta Durrës, Skënderbeu Korçë, Urani Elbasan dhe SK Vlora do të jenë të parët që do të konkurojnë.
Janë shumë admirues të futbollit që në fillimet e tij nuk kursyen asgjë deri edhe pasuritë e tyre, drejtues, organizatorë, specialistë, futbollistë, tifozat e shumtë, por edhe të veçantë, punëtorët e fushave të futbollit, gjyqtarët, gazetarët e shumë të tjerë.
Në 10 javët e kampionatit 32 ndeshjet, përfshi këtu edhe dy ndeshjet finale aforfe, u zhvilluan siç ishin përcaktuar në kalendarin e kampionatit.
Për përcaktimin e kampionëve, duhet të zhvilloheshin dy takime SK Tirana - Skënderbeu, ku Skënderbeu nuk mori pjesë dhe nga kjo SK Tirana i fitoi të dyja ndeshjet aforfe 2-0, duke grumbulluar 18 pikë, me golavarazh 21-7 e shpallet kampione. Dhe është kampionia e parë e kampionateve shqiptare.
Në të dy finalet për titullin kampion, Skënderbeu nuk paraqitet në shenjë proteste për gjykimin tendencioz, sipas tyre, të ndeshjes së fundit më 22.6.1930, SK Tirana - Skënderbeu, që përfundoi 0-0.
Janë shënuar gjithsej 81 gola, me mesataren 2,53 gola për ndeshje. Në fazën e parë janë shënuar 43 gola: 25 vendasit dhe 18 miqtë, ndërsa në fazën e dytë 38: vendasit 20 dhe miqtë 18. Gjithsej 81, vendasit 45 dhe miqtë 36 gola.
Renditja përfundimtare, Kampionati 1930
Nr Klub N F B H Gola P
1 SK Tiranë 12 7 4 1 21-7 21
2 Skënderbeu Korçë 12 5 4 3 14-9 14
3 Bashkimi Shkodër 10 4 5 1 21-15 13
4 Teuta Durrës 10 3 3 4 12-15 9
5 Urani Elbasan 10 3 2 5 9-17 8
6 SK Vlorë 10 - 2 8 5-19 2
/a.ke/