Sport-Futboll/ Skuadrat Shqiptare Gati Për Sfidat Në Kupat E Europës
TIRANË, 10 Korrik/ ATSH-Gjergji Mima/ - Tre skuadrat shqiptare që luajnë në Kupat e Evropës, do të zhvillojnë javën e ardhshme ndeshjet e para të turit të dytë në Europa League dhe në Champions League.
Ndeshja e parë e turit të dytë të Europa League mes hollandezëve të Utrehtit dhe Tiranës do të luhet në datën 15 korrik në orën 20:00. Takimi i parë do të luhet në Hollandë, ndërsa i dyti një javë më pas në kryeqytet. Ndeshja e parë do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh nga Qipro, me kryesor arbitrin Stelios Trifonos.
Ndeshja e parë e turit të dytë mes Besës së Kavajës dhe grekëve të Olimpiakosit do të zhvillohet në datën 15 korrik në orën 20:30. Takimi i parë do të luhet në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa", ndërsa një javë më pas në stadiumin "Karaiaskaqis" në Athinë. Ndeshja e parë do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh nga Hollanda, me arbitër kryesor, Richard Liesveld.
Do të jenë 1000 tifoze ultras të Olimpiakos në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" për të ndjekur ndeshjen për Europa League, që skuadra e tyre do të luajë kundër Besës. Prej më shumë se dy javësh, grekët kanë rezervuar biletat nëpërmjet klubit të tyre dhe kanë paguar 20 mijë euro në arkat e klubit kavajas. Gjithashtu, në Tiranë në 15 korrik, pritet një numër i madh tifozësh nga Kavaja, por edhe nga kryeqyteti.
Ndërsa ndeshja e parë për turin e dytë të Champions League mes Sheriff Tiraspolit dhe Dinamos do të luhet në datën 14 korrik në orën 19:00 në Moldavi, ndërsa ndeshja e dytë do të luhet një javë më pas në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa". /a.ke/