English

Tadiç i bie sërish fyellit: Deklarata e Rexhepit, kërcënim për luftë

Beograd, 10 Korrik 2010 - Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, i ka vlerësuar si kërcënim të hapur për luftë deklaratat e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi. Ky i fundit ka thënë se do të dërgojë njësitë speciale të policisë në veri të Kosovës.

Tadiç ka deklaruar se “institucionet e përkohshme të Kosovës do të jenë përgjegjëse për pasojat katastrofale që do t’i sillte realizimi eventual i këtyre kërcënimeve”, njoftoi kabineti i presidentit serb. Sipas Tadiçit, deklaratat e tilla “luftënxitëse” si dhe provokimet e tjera kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e brishtë në veri të Kosovës. Presidenti i Serbisë e ka quajtur të rëndësishëm “faktin që EULEX-i ka demantuar ministrin Rexhepi, se misioni evropian mbështet një plan të tillë”. Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës ka deklaruar se autoritetet kosovare do të dërgojnë njësi speciale të policisë për vendosjen e rendit dhe të ligjit në veri. Ai ka thënë se Policia e Kosovës ka marrëveshje me EULEX-in për t’i dërguar forcat policore atje. Ndërkohë, shefi i misionit EULEX, Iv de Kermabo, pas kthimit në Prishtinë nga pjesëmarrja në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përmes një komunikate, ka bërë të ditur se “nuk ka pasur asnjë marrëveshje lidhur me dërgimin e Njësiteve Speciale të Policisë në këtë zonë dhe se EULEX-i vazhdon të punojë me të gjitha palët drejt themelimit dhe trajnimit të një Njësiti Special Policor shumetnik”. “Është me rëndësi që të gjitha palët e përfshira të përmbahen nga çfarëdo lloj aktiviteti që do të mund të shihej si provokim i mundshëm”, ka thënë Kermabo. Shefi i EULEX-it ka deklaruar se “ekziston një nevojë urgjente për të kthyer funksionalitetin e plotë të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë dhe mënyra më e mirë për të shkuar përpara është gjetja e një zgjidhjeje në koordinim me të gjitha palët relevante”. “Unë nuk mund të jap një datë të veçantë se kur do të ndodhë kjo, por kërkoj nga të gjitha palët e përfshira, që sa më parë të jetë e mundur, të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje pragmatike”, ka thënë Kermabo. /RFE/

KOMENTE