Beograd, 10 Korrik, NOA – Me deklaratat e tij për dërgim të njësive speciale të policisë në veri të Kosovës me qëllim vënien e paqes atje, ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi po bën kërcënime të hapura për luftë.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, i cili duke komentuar deklaratat e zyrtarit të lartë kosovar, ka kritikuar edhe faktin se për dërgimin e trupave në veri, policia e Kosovës ka marrëveshje me EULEX-in.
Presidenti serb ka deklaruar se “institucionet e përkohshme të Kosovës do të jenë përgjegjëset e vetme për pasojat katastrofale që do t’i sillte realizimi eventual i këtyre kërcënimeve”.
Reagimi i publikuar nga kabineti i Tadiçit, konfirmon sesi deklarata të tilla “luftënxitëse” si dhe provokimet e tjera që mbërrijnë nga autoritetet kosovare, po kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e brishtë në veri të Kosovës.
Nga ana e tij shefi i misionit EULEX, Iv de Kermabo, pas kthimit në Prishtinë nga pjesëmarrja në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përmes një komunikate, ka bërë të ditur se “nuk ka pasur asnjë marrëveshje lidhur me dërgimin e Njësiteve Speciale të Policisë në këtë zonë dhe se EULEX-i vazhdon të punojë me të gjitha palët drejt themelimit dhe trajnimit të një Njësiti Special Policor shumetnik”. n.e/NOA