Tiranë, 10 Korrik 2010 NOA - Shqipëria raporton këto ditë pranë Komitetit për të Drejtat e Grave të OKB-së në lidhje me situatën e të drejtave të grave dhe vajzave ne Shqipëri.
Koalicioni për Raportet Alternative thotë se problem mbetet moszbatimi i ligjeve, problemet në punësim, trafikimi në një kontekst të ri, arsimimi, pjesëmarrja në politikë, etj.
Qeveria shqiptare do të raportojë në 26 korrik në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork për masat që ka ndërmarrë nga viti 2004 deri në vitin 2010 në lidhje me zbatimin e Konventës për Eliminimin e çdo forme të Diskriminimit të Grave dhe vajzave (CEDAW).
Përveç raportit zyrtar të Republikës së Shqipërisë CRCA dhe Koalicioni për Përgatitjen e Raporteve Alternative në Shqipëri kanë dorëzuar zyrtarisht pranë Komitetit për të Drejtat e Grave në Nju Jork Raportin Hije të shoqërisë civile për situatën në të cilën jetojnë gratë dhe vajzat në Shqipëri.
Në këtë raport theksohet se Shqipëria në aspektin legjislativ ka përmbushur disa prej rekomandimeve të Konventës por megjithatë paragrafet në lidhje me barazinë gjinore në shumicën e rasteve mbeten thjesht deklarata të thjeshta dhe ligjet shqiptare në këtë fushë cedojnë në zbatim.
Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA dhe redaktor i raportit, thotë se “në aspektin ekonomik gratë dhe vajzat shqiptare përballen ende me vështirësi të panumërta, sidomos përsa i përket punësimit”, ndërkohë që një prej problemeve më të mëdha për to mbetet dhuna.
“Shumë prej grave dhe vajzave akoma e konsiderojnë dhunën brenda familjes si një çështje private për të cilën nuk kërkojnë ndihmë nga autoritetet dhe u duket shumë e vështirë që për zgjidhjen e këtij problemi të përfshijnë strukturat e policisë, ndonëse shoqëria civile ka hartuar dhe ka lobuar për miratimin e Ligjit kundër Dhunës në Familje”, tha Hazizaj.
Për herë të parë Shqipëria do të raportojë përmes Raportit Hije të shoqërisë civile edhe në lidhje me situatën e grave dhe vajzave që i përkasin pikërisht komunitetit LBT (lezbike, biseksuale dhe transgjinore). Kjo duket të jetë një raportim tejet i vlefshëm për Komitetin e për të drejtat e grave, meqë në raportin zyrtar të qeverisë mungojnë të dhënat mbi këtë grup.
Në Raportin Hije theksohet gjithashtu se diskriminimi prek në shumë raste sidomos gratë e vajzat e grupeve më të marxhinalizuara të shoqërisë, si të varfrit, gratë rome, gratë e privuara nga liria dhe në konflikt me ligjin, si dhe gratë lesbike ato biseksuale dhe sidomos pjesëtarët e komunitetit transgjinor.
Ndonëse ka një ligj kundër diskriminimit, që ende do duhet parë se sa dhe si do zbatohet, komuniteti LBT (lezbike, biseksuale dhe transgjinore) mbetet një prej grupeve më në risk dhe më të diskriminuara në Shqipëri për shkak të orientimit seksual dhe/apo identitetit gjinor.
Raporti vëren probleme edhe në lidhje me edukimin. Sipas shoqërisë civile, në zonat rurale vajzat nën moshën 15 vjeçare shume shpesh e braktisin shkollën për arsye të mentalitetit, varfërisë apo arsyeve të tjera.
Një çështje tjetër serioze që vihet re në raport është edhe trafikimi për qëllim shfrytëzimin seksual kryesisht të vajzave të reja. Ndonëse nga viti 2001 deri më sot shifrat e identifikuara duket se janë në rënie, ky problem vazhdon të jetë një plagë për shoqërinë shqiptare.
Organizatat e shoqërisë civile do të raportojnë fill pas raportit zyrtar të qeverisë pranë OKB-së se trafikimi i qenieve njerëzore ka ndryshuar formën e tij por mbetet ende present.
Rezulton, sipas të dhënave të qendrës “VATRA” se të paktën 57.5 për qind e viktimave të trafikimit të identifikuara më parë janë ritrafikuar sërish për qëllime shfrytëzimi. Ndërkohë, vihet re tendenca e shfrytëzimit seksual të vajzave brenda vendit.
Përsa i përket pjesëmarrjes në politikë, raporti nënvizon se ndonëse në Parlamentin aktual ka 16 për qind deputete gra, pra 9 për qind më shumë se në legjislaturën e kaluar, tentativat e shoqërisë shqiptare për të patur të paktën 30 për qind deputete femra në zgjedhjet e kaluara dështoi pasi kryetarët e partive zgjodhën të vendosnin kandidate femra në fund të listave të tyre zgjedhore.
r.n/NOA