English

Tiranë: Projekt Rehabilitimi Për Bllokun 79

TIRANA, 10 Korrik/ATSH - Gjergji Mima/ - Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama inspektoi sot punimet për rikonstruksionin e infrastrukturës në Bllokun 79, pjesë e territorit të Njësisë Bashkiake Nr.5, (kufizuar nga rrugët "Irfan Tomini", Unaza e Re, Bulevardi "Bajram Curri"). Ky bllok banimi në pjesën jug-perëndimore të Tiranës, me sipërfaqe 30 ha e ka të nevojshme rikonstruksionin, pasi gjëndja e infrastrukturës ishte e amortizuar. "Ky transformim rrënjësor i infrastrukturës nëntokësore dhe gjithë akseve rrugore brenda një hapësire kaq të madhe urbane blloqesh banimi, do të kompletohet vjeshtën e ardhshme, ku 500 pemë të reja do të mbillen për të hijezuar të gjitha këto shtigje të kthyera në rrugë, duke garantuar pastërtinë dhe një rritje cilësore të mjedisit, falë kurorave të reja të pemëve që do të shtohen këtu", tha kryebashkiaku Rama. Sipas Bashkisë së Tiranës, rehabilitimi i Bllokut 79 ka përfshirë rikonstruksionin e rreth 5.684 metrave linearë rrugë të brendshme, një rrjet i ri kolektorësh dhe pusetash për ujërat e zeza dhe të bardha, ndërhyrje në ndriçimin e rrugëve të brendshme të bllokut, trajton nevojat në rritje të banorëve për sheshe parkimi dhe për qytetarë të ndryshëm, të cilët gjatë ditës kryejnë aktivitete biznesi në këtë zonë. Për këtë arsye, projekti parashikon edhe ndërtimin e shesheve të parkimit publik shtesë. Me prioritet po trajtohet krijimi i hapësirave të gjelbëra para pallateve, rehabilitimin urban të disa shesheve, për t'i kthyer në lulishte e sheshe pushimi, mini-fusha basketbolli, gjelbërimin e rrugëve me pemë dekorative. /a.ke/
KOMENTE