Tiranë, 10 Korrik 2010 NOA – Presidenti i Republikës ka reflektuar këtë herë, pasi iu rrëzuan sërish dekretet e tij.
Nëse herët e kaluara kishte përdorur sa mundte gjithë të ashpër me kritika ndaj mazhorancës parlamentare që e votoi për kryetar shteti, këtë radhë ka zgjedhur të ironizojë Berishë, Topallin dhe deputetët e tjerë të djathtë, duke përdorur sarkazmin, e mos harruar të fusë dhe një dozë të fortë distancimi nga mazhoranca, kur i pyetur si e sheh situatën politike, tha se “Presidenti nuk është dipendent nga krizat e të tjerëve”. Në këtë mënyrë, ajo që nga mazhoranca këmbëngulet të jetë një ngërç politik dhe për opozitën krizë e mirëfilltë, është “vulosur” nga kryetari i shtetit si krizë politike në vend.
Reagimi i Topit erdhi kur dje ai iu përgjigj interesimit të mediave për aktualitetin politik në vend në përfundim të vizitës së tij në Theth, ku nën kujdesin e Kryetarit të Shtetit u zhvilluar Konferenca: “Zhvillimi Ekonomik i Qëndrueshëm – Paqe Sociale”.
Duke kujtuar formalisht faktin se është një kompetencë e institucionit të Kuvendit dhe shtuar se “ia njoh plotësisht autoritetin për atë çka i njeh ligji dhe Kushtetuta”, Topi ka sjellë dhe deklaratën ironike: “Do të thoja që është një moment për të cilin unë do të doja ta përgëzoj. Dua të përgëzoj që është rritur ndjeshmëria për të përmirësuar metodologjinë e dëgjimit, të transparencës së kandidaturave dhe të vlerësimit”.
Sarkazma ka vijuar e pakursyer: “Dhe në saj të përmirësimit të kësaj metodologjie është bërë e mundur që dy kandidaturat, të cilat ishin rrëzuar dy vite më parë, të rivlerësohen nga Kuvendi dhe të marrin votën e Kuvendit. Pra, ky është një moment që unë si President i risjell Kuvendit dy kandidatura që i kam paraqitur një herë dhe ato miratohen”.
Ndërkohë “loja” me Parlamentin e kryetarit të shtetit, në dukje si autokritikë, nuk është ndalur: “E dyta që është një element shumë i rëndësishëm: ne duhet të marrim shembull si institucione nga njëri-tjetri. Në rast se Kuvendi me të drejtë ka rritur rigorozitetin në kontrollin e kandidaturave, kjo vlen dhe për Institucionin e Presidentit, që duhet ta përmirësojë, të vendosë kritere shumë më rigoroze për të gjitha kandidaturat dhe propozimet që vijnë nga pushtetet e tjera”.
Më poshtë ndiqni pyetje-përgjigjet e plota: Si e vlerësoni takimin në Theth? Nuk besoj ta teproj, por është një nga takimet më emocionuese të jetës sime qoftë si qytetar, qoftë si President, qoftë si politikan. Duhet ta pranojmë që sot të gjitha gjërat i bëjmë mirë në jetën tonë. E kam fjalën që këto mrekulli duhet të ishin zbuluar më parë pra një lloj autokritike e bëmë sot dhe kjo vlen shumë jo vetëm për mua, por vlen për të gjithë ne. Njeriu e ka si detyrim që të zbulojë vendin e tij dhe kur nuk di të zbulojë as mrekullitë e natyrës, pastaj është fatkeqësi. Sot kam rastin që sikurse dhe ju që besoj se me siguri e keni për herë të parë të shijojë pamjet që nuk i ka parë njeri. Unë e thashë dhe pak më parë që edhe në Evropën Qendrore ka mrekulli të kësaj natyre, por këto që po shoh sot janë shumë herë më të bukura se ato që kishim lexuar nëpër libra, në gjeografinë fizike, në historinë e këtyre vendeve. Mbi të gjitha vlerësova standardin e civilizimit të këtyre njerëzve, banorë të cilët dinë të konservojnë me shumë fanatizëm historinë e tyre, një histori e lashtë, një histori që sjell edhe emra të njohur të botës intelektuale botërore, që e kanë vizituar këtë vend dekada më parë. Është një moment i një promocioni jo thjesht komercial. Është një promocion për të njohur vendin, për të njohur historinë por për të bërë edhe turizëm. Ky popull këtu ka mundësi të jashtëzakonshme që të kombinojë bujqësinë, të kombinojë turizmin, për të realizuar thithjen e sa më shumë turistëve. Unë kam pasur të bëj me shumë turistë të cilët dinë ta shijojnë natyrën, kanë eksperiencë, kanë edukatë dhe dëshiroj që e njëjta gjë të ndodhë edhe me turistët shqiptarë. Ajo që thashë pak më parë për shoqëritë turistike duhet t’i bëjë më shumë reklamë turistëve për natyrën. A ka ardhur koha të reshtim së thëni fjalë të bukura dhe të ndihmojmë këta banorë që të mos përshkojnë rrugë kaq të mundimshme, edhe turistët gjithashtu? Natyrisht! Duhet kuptuar që një politikan nuk ka jetëgjatësi nëse nuk do t’i lidhë fjalët që thotë me vepra. Nuk e kam fjalën në sens personal, por e kam për të gjithë dhe praktikisht po punohet për këtë zonë. Është një projekt i jashtëzakonshëm për të realizuar bashkëpunimin me Kosovën dhe me Malin e Zi për të ndërtuar pikërisht rrugën që lidh të gjithë territorin e Bjeshkëve të Namuna, i cili do të kthehet në një park unikal midis tre vendeve tona që do të jetë një bashkëpunim mes vendeve të cilat do të integrohen në Evropë. Patjetër që jo gjithçka vjen menjëherë, por e rëndësishme është që kjo zonë është futur në projektet e së ardhmes. Zoti Topi, dje Parlamenti shqiptar, domethënë mazhoranca, në mënyrë të përsëritur rrëzoi një nga dekretet tuaja. Dhe të njëjtin fat pritet të ketë dhe dekreti tjetër, të paktën për aq sa është bërë publike në komisionin e ligjeve. Ju a keni një koment për këtë?
Po ma kërkoni komentin në një zonë ku njeriu i largohet komenteve politike, por gjithsesi, e kam pasur këtë kod komunikimi me gazetarët dhe gjithmonë iu jam përgjigjur, apo jo? Nuk keni dyshim për këtë? Unë e kam thënë dhe herë tjetër që nuk dëshiroj të bëj komentet për kompetenca që nuk janë të Presidentit. Pra, është një kompetencë e institucionit të Kuvendit. Ia njoh plotësisht autoritetin për atë çka i njeh ligji dhe Kushtetuta. Do të thoja që është një moment për të cilin unë do të doja ta përgëzoj. Dua të përgëzoj që është rritur ndjeshmëria për të përmirësuar metodologjinë e dëgjimit, të transparencës së kandidaturave dhe të vlerësimit. Dhe në saj të përmirësimit të kësaj metodologjie është bërë e mundur që dy kandidaturat, të cilat ishin rrëzuar dy vite më parë, të rivlerësohen nga Kuvendi dhe të marrin votën e Kuvendit. Pra, ky është një moment që unë si President i risjell Kuvendit dy kandidatura që i kam paraqitur një herë dhe ato miratohen. E dyta që është një element shumë i rëndësishëm: ne duhet të marrim shembull si institucione nga njëri-tjetri. Në rast se Kuvendi me të drejtë ka rritur rigorozitetin në kontrollin e kandidaturave, kjo vlen dhe për Institucionin e Presidentit, që duhet ta përmirësojë, të vendosë kritere shumë më rigoroze për të gjitha kandidaturat dhe propozimet që vijnë nga pushtetet e tjera. Pra, kjo është historia e pushteteve në një vend demokratik, “check and balance”, shikojnë njëri-tjetrin, kontrollojnë njëri-tjetrin dhe punojnë për demokracinë. Opozita i është rikthyer sërish marrëdhënies së kushtëzuar me Parlamentin. Ju keni ndonjë koment për këtë? Unë i kam bërë të gjitha komentet e mia si President i Republikës. Asnjëherë nuk kam dashur të interferoj në opsionet politike të partive politike. Është e drejta dhe përgjegjësia e tyre. Por atë që kam thënë gjithmonë është që ky vend ka nevojë t’i respektojë standardet politike në të gjitha pozicionet e mundshme qoftë nga mazhoranca, qoftë nga opozita të bashkëpunojnë, të mos mbajnë qëndrime unilaterale, sepse në fund fare janë njerëzit, është populli ai që i shikon, ai që i vrojton dhe ai i që e pëson. Në kuptimin e vërtetë të fjalës nëse partitë politike bashkëpunojnë, shoqëria është më e qetë, problemet janë më të zgjidhshme dhe ai që, meqenëse jemi në klimën e Kampionatit Botëror të Futbollit, nuk besoj që ju shikoni lojtarë të standardit botërorë që luajnë me një këmbë. Pra, duhet të luash me të dyja këmbët, duhet të luash me të dyja këmbët që të kesh shanse për të shënuar.
Po afrohen zgjedhjet lokale, por më parë duhet dekretuar data e zgjedhjeve dhe duhen bërë përgatitjet e nevojshme për to. Ju a do të ndërmerrni ndonjë masë të mëtejshme për rinisjen e dialogut mes dy forcave politike? Unë shikoj që forcat politike kanë një tendencë për të bashkëpunuar përtej debatit. Ajo që i takon Presidentit është që, duke ndjekur me rigorozitet detyrimet kushtetuese dhe të drejtat kushtetuese, të shpallë datën e zgjedhjeve administrative, apo zgjedhjeve vendore në momentin kur ai ka detyrimin për ta bërë. E unë besoj që kjo është projektuar në pranverën e vitit që vjen. A pritet edhe zgjidhja e krizës? Tani, Presidenti nuk është dipendent nga krizat e të tjerëve. Presidenti vendos mbi bazën e një dokumenti të cilin po nuk e zbatoi, penalizohet dhe kjo është Kushtetuta. Ndërsa presim njohjen e pavarësisë së plotë të Kosovës dhe liberalizimin e regjimit të vizave dhe duke parë se ishte një miniforum evropian ky takim i sotëm! Së pari, gjëja për të cilën nuk kam asnjë lloj dyshimi është kthimi në të kaluarën i Kosovës. Kosova është një shtet i cili konsolidohet çdo ditë dhe unë besoj që Gjykata Ndërkombëtare do të japë një verdikt pozitiv për Kosovën dhe sikurse ju e patë edhe në rezolutën e Parlamentit Evropian nuk ka pikë dyshimi që e ardhmja e Kosovës, sikurse dhe e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Kjo flet shumë. Pak më tej është Kulla e Ngujimit plaga e së cilës ende nuk është shëruar plotësisht. Cili do të ishte mesazhi juaj për të gjithë ata që kërcënohen nga kjo plagë? Mesazhin unë e thashë pak më parë, por po e jap edhe këtu para jush. Ajo kullë kurrsesi nuk duhet të lihet që të prishet, por vetëm për të mbetur një relikte e kohëve të shkuara, sepse ky takim që ne po bëjmë sot dhe fryma moderne e projektimit të kësaj zonë është pikërisht për t’iu shkëputur në mënyrë definitive fenomenit të gjakmarrjes, sepse duke shkuar në Evropë, detyrimisht që duhet t’i lëmë ca gjëra që nuk janë në standardet evropiane.
r.n/NOA