Torino - Qytetaret E Rinj Dhe Nenshtetesia Italiane
TORINO 10 Korrik /ATSH-Benko Gjata/- Italia rritet, por vetëm falë emigrantëve. Sipas të dhënave më të fundit të ISTAT-it (Institutit Italian të Statistikave) popullsia italiane është rritur gjatë vitit 2009, me 0,5%, ose 295 mijë banorë, të gjithë të huaj. Numri i rezidentëve joitalianë në fund të vitit 2009 përbënte 7% të totalit të popullsisë, ose mbi 4.2 milionë banorë - shifër e cila sot, po të llogaritet koefiçenti i rritjes së viteve të fundit, duket ti ketë kaluar 4.5 milionët.
Në rritje rezulton gjithashtu edhe numri i qytetarëve të pajisur me nënshtetësi italiane, mbi 40 mijë në 2009-ën. Renditjen e shteteve, qytetarëve të të cilëve ju është dhënë nënshtetësia italiane, e kryeson pikërisht Shqipëria, mbi 6 mijë qytetarë të së cilës janë pajisur gjatë 2009-ës me pashaportën e tyre të dytë.
Çështja e nënshtetësisë, një nga temat më të diskutuarat të debatit publik në Itali, u trajtua të Premten, në mbrëmje në datë 9 Korrik 2010, në Torino, në konferencën "Qytetarët e rinj dhe nënshtetësia italiane" ideuar dhe organizuar nga parlamentari italian Marco Calgaro dhe gazetari Benko Gjata, korrespondent i akredituar i A.T.SH.-.së në Itali.
Në konferencë merrnin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve lokale si Asesori Marco Borgione, historiani Raffaele d'Amato dhe përfaqësues të shumtë të bashkësive të huaja që jetojnë në Torino. Relatorët dhe pjesëmarrësit theksuan nevojën e rishikimit të ligjit aktual të nënshtetësisë italiane, që nën dritën e zhvillimeve të viteve të fundit në fushën e imigracionit konsiderohet krejt i papërshtatshëm. Reduktimi i numrit të viteve të rezidencës së pandërprerë në Itali si kusht për dhënien e nënshtësisë; pajisja automatike me nënshtetësinë italiane e fëmijëve të emigrantëve të lindur në Itali, apo të ardhur këtu në moshë të vogël; reduktimi i kohëve të stërgjata të burokracisë për vlerësimin e praktikave, ishin disa nga propozimet kryesore që u diskutuan gjatë takimit.
Të pranishmit ranë gjithashtu dakord se marrja e nënshtetësisë italiane nuk nënkupton mohimin e kulturës dhe rrënjëve të vendit të origjinës, përkundrazi. "Ajo është një gjest simbolik, që shpreh vullnetin për të qënë pa rezerva pjesë e një bashkësie që jeton, punon dhe ndërton të ardhmen e saj të përbashkët në nje territor të caktuar," theksuan relatoret dhe diskutantët e shumtë në këtë takim.
Për të pranishmit në këtë aktivitet u ofrua një koktej me specialitete të traditave gastronomike të vendeve të ndryshme të botës./a.gj/