English

Vetëvendosje, aksion kundër ndarjes së Gjilanit

Gjilan, 10 Korrik, NOA - Aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje bllokuan dje me trupat e tyre hyrjet e Kuvendit komunal të Gjilanit, gjë që u bë për të penguar miratimin e statutit të ri komunal, i cili e legalizon ndarjen e Gjilanit.

Sipas këtij statuti, rreth 30% e territorit të Gjilanit u jepet komunave të reja serbe të krijuara sipas Planit të Ahtisaarit.

“Ndarja e Gjilanit dhe zvogëlimi i komunës po bëhet nga një grusht njerëzish të shitur dhe pa u pyetur populli i kësaj komune”, pohojnë në deklaratën e tyre aktivistët e “Vetëvendosjes”.

“Vetëvendosje!-a kërkon nga deputetët e Kuvendit Komunal të Gjilanit që të mos e pranojnë ndarjen e Gjilanit, dhe që me vendimet e tyre të mos i shërbejnë interesave territoriale dhe ekspansioniste të Serbisë. Po ashtu, nga policët e Kosovës kërkojmë që të mos bëhen vegël e politikës antishqiptare, por t’i mbrojnë interesa e tyre komunale, shtetërore dhe kombëtare”, thuhet më tej në këtë deklaratë.

n.e/NOA

KOMENTE