Prishtinë, 11 korrik, NOA - Komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate të Komandës në Napoli, admirali Mark Fitzgerald, do të vizitojë sërish Kosovën gjatë javës së ardhshme, ka bërë të ditur KFOR.
Sipas një njoftimi të lëshuar nga Zyra për media e KFOR-it, Fitzgerald do të vizitojë Shtabin qendror të KFOR-it, të martën, më 13 korrik, dhe do të njoftohet nga gjenerallejtënant Markus Bentler, thuhet në njoftim, por nuk është cekur arsyeja e vizitës së tij.
Vizitat e zyrtarëve të lartë të NATO-s, janë shpeshtuar sidomos kohëve të fundit. Fitzgerald për herë të fundit ka vizituar Kosovën gjatë javës së fundit të muajit qershor, ndërsa në fillim të kësaj jave, në Kosovë ka qëndruar edhe admirali tjetër i NATO-s, James Stavridis.
Muaj më parë, KFOR-i ka reduktuar numrin e trupave në Kosovë, duke e zvogëluar atë në 10 mijë, ndërsa pas incidenteve të fundit në veri të vendit, janë detyruar që të rrisin prezencën atje.
NOA