Davutoglu: Be-Ja Përbën Qëllimin Strategjik Të Turqisë
ANKARA, 11 korrik /ATSH-MIA/ - Procesi integrues i Turqisë në Bashkimin Evropian është prioriteti më i rëndësishëm strategjik për Ankaranë, deklaroi ministri turk i Punëve të Jashtme, Ahmet Davutoglu për gazetën britanike "The Financial Times".
Ai i cilësoi si "nonsense" njoftimet sipas të cilave Turqia ishte orientuar drejt Lindjes dhe se Ankaraja i kishte kthyer shpinën Perëndimit.
''Përsa i përket Izraelit, nëse Tel Avivi nuk ka qasje për formimin e komisionit ndërkombëtar, që do të hetojë sulmin ndaj flotiljes humanitare për Gazën, marrëdhëniet mes Turqisë dhe Izraelit nuk do të zhvillohen në kahun pozitiv'', theksoi Davutoglu.
Megjithatë, shefi i diplomacisë turke shtoi se Ankaraja nuk dëshironte përkeqësimin e marrëdhënieve me Izraelin, por se ky vend duhet të marrë përgjegjësinë për gabimet.
''Varet nga Izraeli sesi do të jenë marrëdhëniet e ardhshme midis Ankarasë dhe Tel Avivit'', përfundoi ai./
a.jor.