Durrës: Në Portin Detar Mes Bashkëatdhetarëve Dhe Punonjësve Të Kufirit
eportazh-
DURRES, 11 Korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/.-Mbi 8 mijë udhëtarë, me afro 900 automjete, pritet të mbërrijnë gjatë ditës së sotme me tragete në portin detar të Durrësit, ndërsa numri i të ardhurve do të rritet edhe më tej në gjysmën e dytë të muajit korrik. Shumica e udhëtarëve që kanë zbritur në Durrës që nga fillimi i muajit korrik janë bashkëatdhëtarë me punë dhe banim në vende të ndryshme të Evropës perëndimore, të cilët pas Durrësit, vijojnë më tej drejt qyteteve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, ku do të kalojnë pushimet e verës bashkë me familjet e tyre.
Shefi i komisariatit të portit, kryekomisar Roland Pelushi, tha për ATSH-në se deri në mesditën e së dielës në sheshin përkatës janë ankoruar katër tragete që kanë sjellë nga Bari (Itali) mbi 5 mijë udhëtarë me rreth 600 autovetura. Deri në mbrëmje ne presim edhe dy tragete nga Ankona dhe Trieste (Itali), si dhe katamaranin nga Bari, me rreth 3 mijë udhëtarë dhe 400 automjete të tjerë, shtoi kryekomisari Pelushi.
Brenda 40-50 minutash përpunohet një traget me rreth 1200 udhëtarë, shprehet drejtuesi i policisë portuale, ndërsa shton se në pikat e kontrollit kufitar punojnë 23 specialistë të policisë kufitare, numri më i lartë krahasuar me të gjitha sezonet verore të mëparshme.
Valmira T, që ka mbërritur bashkë me familjen e saj nga Gjermania, thotë se ka udhëtuar për orë të tëra me autoveturë drejt portit të Barit. "Nga Italia jemi nisur pasmesnate për shkak të numrit të madh të udhëtarëve, por këtu në Durrrës nuk kemi dalë fare nga makina dhe kontrolli kufitar e doganor janë kryer njëkohësisht brenda pak minutash", shprehet zonja nga Deçani. Tani mezi presim të hyjmë në rrugën e re drejt Morinës, zgjat kokën te dritarja e veturës Rifati. Na kanë thanë se është një mrekulli dhe nuk do të presim fare në port, por do t'ia "mësyjmë" drejt e në Kosovë, vazhdon ai, ndërsa vendos përsëri dokumentat e veta dhe të fëmijëve në "kroskotin" e veturës.
Në strukturën e përkohshme metalike që shërbën si pika e kontrollit kufitar të udhëtarëve për një çast bëhen më shumë se 250 udhëtarë që kanë zbritur nga tragetet njëkohësisht dhe puna e tetë kontrollorëve mbështetet nga Forcat e Sigurisë Portuale (FSP).
Gjithçka është koordinuar më së miri nga të gjithë autoritetet brenda portit, thotë Bashkimi, doganieri i turnit. Parimi është "vetëm një ndalesë dhe vetëm një kontroll" për udhëtarët, të cilët shpesh herë mbërrijnë nga vende të largëta të Evropës perëndimore dhe veriore.
Në të dy anët e rrugës së krijuar me shenja treguese ku kalojnë udhëtarët këmbësorë janë rreshtuar kolonat e drejta të automjeteve dhe në kabinat e kalimit kufitar 15 kontrollorë të tjerë nuk pushojnë së verifikuari pasaportat dhe automjetet.
"Tashmë sistemi TIMS dhe ai i Interpolit i kanë unifikuar në të njejtin rrjet të dhënat dhe siguria e bllokimit të elementëve kriminalë, që synojnë kalimin kufitar gjatë periudhës me fluks më të lartë udhëtarësh, është në pikën e saj më të lartë, vazhdon bisedën e lënë në mes kryekomisari Pelushi, i cili herë pas here largohet për të vëzhguar nga afër situatën pranë trageteve që po ankorohen.
Të gjitha pasaportat e kontrolluara një herë kalojnë në pak sekonda para monitorit, ndërsa për një pjesë të shtetasve kosovarë që ndonjëherë kanë pasaporta të UNMIK-ut apo pasaporta të vjetra serbe, koha e verifikimit është më e gjatë.
Bashkë me teknologjinë moderne që na vjen në ndihmë ne po shfrytëzojmë të gjitha pikat e kontaktit kryesisht me homologët tanë italianë si dhe me Konsullatën e Shqipërisë në Bari, nga ku nisen më shumë se 60 për qind e udhëtarëve me tragete, shton oficeri i policisë.
Pas pak të gjithë kontrollorët që përfundojnë procesin e vulosjes së pasaportave të këmbësorëve i drejtohen dy kabinave të lira në sheshin nga tragetet deri në dy daljet e automjeteve.
Kjo është hapësira e emergjencës, thotë një nga inspektorët e policisë, duke sqaruar se në këtë linjë që aktualisht është bosh krijohen edhe dy kolona të tjera me autovetura, duke shkurtuar edhe më tej kohën e përpunimit të automjeteve..
Që nga fillimi i muajit korrik numri i udhëtarëve dhe automjeteve që kanë hyrë në portin e Durrësit me tragete është rritur gradualisht dhe po ashtu kompanitë e lundrimit si dhe autoritetet e kontrollit kufitar dhe doganor u janë përgjigjur me shtesa tragetesh si dhe një profesionalizëm për t'u admiruar. Gjatë javës përpunohen 5-6 mijë udhëtarë me 700-800 automjete, ndërsa në fundjavë numrat rriten me 30 për qind.
Në fund të vitit do të jetë ndryshe, shprehet kryekomisari Roland Pelushi. Punimet për terminalin e ri të udhëtarëve, me një investim prej 15.2 milion euro, kanë hyrë në fazën e fundit dhe njëlloj si në aeroportin e Rinasit, i cili dukej si një ëndërr e pamundur, edhe në portin e Durrësit, gjithkush që vendos të lundrojë me tragete, do ta ndjejë vehten njëlloj si në vendet perëndimore./s.s./