Fundjavë Në Velipojë, Rekord Pushuesish
SHKODËR, 11 Korrik/ATSH-G. Marku/- Një shifër rekord pushuesish ka shënuar dita e sotme në plazhin e Velipojës, rreth 40 km larg nga Shkodra. Si asnjëherë tjetër, që nga grykëderdhja e lumit Buna, aty ku fillon edhe zona e territorit të plazhit, në kufi me Malin e Zi, dhe deri në skajin tjetër, në Vilu, pranë fshatit Rrjoll, zonë që e ndan atë me Shëngjinin, bregu i rërës ka qënë i mbipopulluar më tepër se kurrë me çadrat e pushuesve.
"Zakonisht, piku i pushuesve, sezonet e tjera ka qënë pas 15 korrikut, por këtë vit ka një dyndje aq të madhe sa nuk të lënë më të dallosh fare muajt e sezonit, sepse të gjitha janë bërë njëlloj", thotë kryetari i komunës së Velipojës, Nikoll Marku. Madje, sipas tij, një dyndje e tillë është vënë re edhe gjatë muajit qershor, që me përjashtim të ndonjë dite të vërejtur, ka qënë ndër muajt më të bukur të plazhit.
Të gjendur përballë këtij fluksi kaq të madh pushuesish, numri i të cilëve në fundjave i kalon të 100 mijë vetët, qeverisja vendore e komunës së Velipojës ka marrë masat e duhura për një shërbim sa më të mirë ndaj pushuesve. "Që prej datës 1 Korrik, e gjithë administrata e komunës është shpërngulur në godinën e re që komuna ka ngritur prej dy-tre vitesh në qëndër të plazhit të Velipojës", thotë për ATSH-në kryekomunari Marku. Sipas tij, një mënyrë e tillë organizimi ka dhënë rezultatin e duhur pasi me këtë rast të gjithë drejtuesit e sektorëve janë afër terrenit, duke iu gjendur në çast në ndihmë, qoftë pushuesve dhe sidomos biznesit të vogël dhe të madh që ushtron aktivitetin e tij brenda territorit të plazhit.
Arsyeja e këtij mbipopullimi kaq të madh që ka Velipoja në këtë sezon, sipas kryekomunarit Marku, është fakti i një dyndje tepër të madhe që vjen nga Kosova dhe Maqedonia. "Ndërtimi i superstradës së re Durrës- Kukës -Morin ka dhënë një ndikim jashtëzakonisht të madh", thotë Marku. Madje, nga verifikimet që ai dhe stafi i tij kanë bërë në terren, tashmë familjet kosovare, përveç qëndrimit të zakonshëm 10-15 ditor, në kushtet kur për jo më shumë se dy orë mund të vijnë nga Kosova në Velipojë, ka bërë që ata të vijnë edhe për fundjavat në këtë plazh. Por, ajo që të bën përshtypje, është fakti që falë kushteve që janë krijuar në udhëtim, ka raste nga Kosova që vijnë gjatë javës edhe për një drekë, apo darkë në Velipojë, duke u kthyer përsëri brenda ditës në Kosovë.
Duke folur për kujdesin që i kushtohet shërbimit nga pushuesve, kreu i komunës bën të ditur se këtë vit ka një përmirësim rrënjësor në të gjithë aspektet. Dhe, kjo fillon që nga pastrimi i bregut të rërës, për të cilin komuna në sajë të një fondi prej 120 milion lekë, ka trefishuar personelin që merret me këtë sektor, i cili përveçse një pastrimi radikal që i bën pjesës së rërës në orët e mbrëmjes kur pushuesit tërhiqen për në banesat e tyre, një pjesë tjetër e këtij sektori qarkullon gjatë të gjithë ditës, duke eliminuar problemet e paraqitura gjatë ditës, sidomos nga pjesa e pushuesve ditorë nga qyteti i Shkodrës.
Ajo që vlen të theksohet është fakti, se ashtu si edhe vitet e mëparshme, territori i plazhit të Velipojës vazhdon të furnizohet panderprerje me energji elektrike dhe ujë të pijshëm me të gjithë kapacitetin e duhur për të përballuar nevojat e pushuesve. Ndërkohë, në eficiencë të plotë janë edhe lokalet e shërbimit, qoftë marketet e shumta që kanë brenda gjithçka i nevojitet pushuesve, që nga qumështi i freskët i fshatarëve të zonës, e po kështu me të gjithë kërkesat e tjera të bulmetrave, mishit, zarzavateve, frutave, pijeve freskuese dhe alkolike, etj.
Në sinkron me të gjitha këto janë edhe masat e marra në drejtim të rendit dhe qetësisë, ku në sajë të bashkëpunimit të strukturave vendore me Drejtorinë e Policisë Qarkut Shkodër, çdo pjesë e territorit të plazhit është e mbuluar me shërbim 24 orë të uniformave blu për t'u ardhur në ndihmë pushuesve për çdo nevojë që u paraqitet./s.s./