Kodra: Rritja E Pagave Burim Për Mirëqënien E Qytetarëve
TIRANE, 11 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Rritja e pagave si burim i mirëqenies së qytetarëve ka qenë dhe vazhdon të jetë prioritet i programit të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) dhe i qeverisë së koalicionit.
Nën kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Filloreta Kodra, tha sot gjatë një konference për shtyp se, vendimi i fundit i qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve do të rrisë, pagat e mjekëve me 11 përqind; të infermierëve me 9 përqind; rrogat e mësuesve me 6 përqind dhe pagat e ushtarakëve nga 4 deri në 5.2 përqind. Ndërkohë që pagat e ulëta rriten me 10 përqind.
Nga zbatimi i këtij vendimi, tha Kodra, të ardhurat totale mujore për pensionin e plotë minimal të pleqërisë llogariten jo më pak se 12840 lekë në muaj. Të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të qytetit: nga 21052 lekë behen 21880 lekë/muaj, për pensionin e plotë të fshatit: ishte 7234 lekë dhe bëhet 7870 lekë /muaj dhe të ardhurat e pensionit maksimal të fshatit: bëhen 10890 lekë në muaj.
Sipas saj, në këtë llogaritje nuk përfshihen ata pensionistë, të cilët përfitojnë kompensimin e energjisë prej 640L/muaj.
Ndërkohë Kodra, tha se projektligji "Për statusin e moshës së tretë", nismë e LSI, është nisur për mendim në ministritë e linjës dhe më pas do të dërgohet në Këshillin e Ministrave për miratim.
Kodra nënvizoi se, vazhdon puna për realizimin e marrëveshjeve për sigurimet shoqërore e shëndetësore.Përvec Turqisë, me të cilën është nënshkruar marrëveshja , ka nisur negocimi me Belgjikën e Hungarinë.
/f.n/