Kryeminstri Berisha: Masakra E Srebrenicës Genocidi Me I Eger I Pas Luftes Se Dyte Boterore
Në 15 vjetorin e masakrës masivë të Srebrenicës-
TIRANË, 11 Korrik /ATSH/.- Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e cilesoi sot, Masakrën e Srebrenicës si "genocidin më të egër, më mizor, të pas Luftës së Dytë Botërore".
Në një mesazh në 15 vjetorin e masakrës masive të Srebrenicës, kreu i qeverisë shprehej se "në këtë përvjetor zije, dhimbja, përgjegjësia, por edhe lëndimi i ndërgjegjes së njerëzimit, për këto mijëra e mijëra jetë të pafajshme, të marra mizorisht, janë më të mëdha se 15 vjet më parë. Kjo sepse ende autori kryesor, kryexhelati i këtij genocidi, Radko Mlladiç dhe shumica e xhelatëve të saj gjenden të lirë".
"Mbi 8 mijë civilë, burra, gra, fëmijë, të vendosura nën mbrojtjen të trupave të OKB, u ekzekutuan dhe shfarosën nga falangat e Millosheviçit e Mlladiçit, vetëm e vetëm për përkatësinë e tyre etnike dhe besimin e tyre fetar, thuhej në këtë mesazh.
"Shpirtrat e fëmijëve, grave, të rinjve, të moshuarve, viktima të Srebrenicës, kërkojnë nga njerëzit e lirë, qeveritë e tyre, OKB-ja, drejtësi. Ata do të mund të prehen të qetë, vetëm atëherë kur xhelatët e tyre do të marrin dënimin më të rëndë që meritojnë", përfundonte mesazhin e tij kryeministri Sali Berisha.
/f.n/