“Shpirtrat e fëmijëve, grave, të rinjve, të moshuarve, viktima të Srebrenicës, kërkojnë nga njerëzit e lirë, qeveritë e e tyre, OKB-ja, drejtësi. Ata do të mund të prehen të qetë, vetëm atëherë kur xhelatët e tyre do të marrin dënimin më të rëndë që meritojnë”
Tiranë, 11 Korrik 2010 NOA – Kryeministri Sali Berisha menjëherë pas kthimit nga samiti i Dubrovnikut ka dalë me një mesazh të fortë si kujtesë për masakrën e Srebenicës, e ndodhur 15 vjet më parë.
“Sot është 15 vjetori i barbarisë më të paparë, genocidit më të egër, më mizor, të pasluftës së dytë botërore, masakrës masive të Srebrenicës, në të cilën mbi 8 mijë civilë, burra, gra, fëmijë, të vendosura nën mbrojtjen të trupave të OKB, u ekzekutuan dhe shfarosën nga falangat e Millosheviçit e Mlladiçit, vetëm e vetëm për përkatësinë e tyre etnike dhe besimin e tyre fetar”, - thotë Berisha në mesazhin në 15 vjetorin e masakrës masive të Srebrenicës
Sot, në këtë përvjetor zije, - vijon mesazhi, - dhimbja, përgjegjësia, por edhe lëndimi i ndërgjegjes së njerëzimit, për këto mijëra e mijëra jetë të pafajshme, të marra mizorisht, janë më të mëdha se 15 vjet më parë.
Këtu vjen dhe akuza e Berishës si dhe shpjegimi pse lëndimi e dhimbja janë më të forta se një dekadë e gjysmë më parë: “Kjo sepse ende autori kryesor, kryexhelati i këtij gjenocidi, Radko Mlladiç dhe shumica e xhelatëve të saj gjenden të lirë”.
Ndaj në përfundim të mesazhit, kryeministri shqiptar thotë: “Shpirtrat e fëmijëve, grave, të rinjve, të moshuarve, viktima të Srebrenicës, kërkojnë nga njerëzit e lirë, qeveritë e tyre, OKB-ja, drejtësi. Ata do të mund të prehen të qetë, vetëm atëherë kur xhelatët e tyre do të marrin dënimin më të rëndë që meritojnë”.
r.n/NOA
{youtube}UZz7_RW-bcw{/youtube}