English

Meta Në Srebrenicë: Ngjarje Të Tilla Nuk Duhet Të Përsëriten Më

TIRANE, 11 Korrik/ATSH/.-Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, mori pjesë sot në përkujtimin e 15 vjetorit të masakrës së Srebrenicës. Drejtoria e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se gjatë ceremonisë së përkujtimit, z. Meta u prit nga Presidenti i Bosnje-Hercegovinës, Haris Silajdzic, ku së bashku me krerë të tjerë të shteteve, si Presidenti turk, Erdogan, ministri i Jashtëm francez, Kushner, Presidenti serb, Tadiç, etj, vizituan memorialin dhe ekspozitën në nderim të viktimave të tragjedisë së Srebrenicës. Gjithashtu, z. Meta bëri homazhe duke vendosur një kurorë me lule pranë përmendores së ngritur në kujtim të viktimave dhe mori pjesë në ceremoninë e rivarrosjes së eshtrave të 775 viktimave të luftës. Pas ceremonisë përkujtimore, në një prononcim për mediat, Meta tha se "nuk mund të mungoja në këtë përvjetor shumë të rëndësishëm të tragjedisë së Srebrenicës, që është krimi më i madh kundër njerëzimit që pas Luftës së Dytë Botërore". Meta tha se "jam këtu për të shprehur solidaritetin tonë me të gjithë popullin e Bosnjes dhe me familjarët e viktimave, por njëkohësisht edhe të theksoj angazhimin tonë, që duke përkujtuar ngjarje të tilla kaq tragjike, që nuk kanë ndodhur shumë larg në të kaluarën, duhet të mësojmë se si të mos përsëriten më ngjarje të tilla, dhe njëkohësisht të garantojmë një të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët e Bosnjes, qytetarët e rajonit dhe për fëmijët tanë". /s.s./
KOMENTE