Tiranë, 11 korrik, Update, NOA – Kandidati për kryetar rrethi i PS-së së Tiranës, Pjerin Ndreu ka shpalosur para anëtarëve të Asamblesë Socialiste platformën e tij. Ndreu është ndalur fillimisht në karrierën e tij dhe në formimin profesional. Ndërsa më pas ka deklaruar projektin e tij për PS-në e Tiranës.
Ai ka theksuar se duhet një bashkëpunim më i madh mes anëtarëve të PS-së duke eliminuar ndarjet. Ndreu u shpreh se socialistët kanë misionin për ta sjellë PS në pushtet.
“Duhet të gjejmë urat e takimit dhe jo të përçarjes sepse duhet të kthejmë në pushtet PS-në. PS ka nevojë për secilin prej nesh”, tha Pjerin Ndreu.
Kandidati për PS-në e Tiranës ka theksuar se sfida e radhës janë zgjedhjet lokale dhe PS-së i duhet që të mos ketë frikë nga “pushteti i Berishës dhe nga vjedhja e votave”.
Kandidati Ndreu tha se pjesë e punës së tij është forcimi i strukturave të partisë dhe përballim i zgjedhjeve të ardhshme lokale.
NOA