"Piku" I Prodhimit Bujqesor, Ul Çmimet
TIRANE, 11 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Prodhimi vendas bujqësor ka ulur çmimet e produkteve ushqimore, veçanërisht të frutave dhe perimeve.
Tregtarët shprehen se tregjet e brendshme furnizohen aktualisht me prodhim vendas, i cili ka cilësi më të mirë se malli i importit. Por edhe pse çmimet kanë pësuar rënie, tregtarët ankohen për nivelin e ulët të blerjeve.
"Çmimet në përgjithësi kanë rënë se është mall vendas por blerjet janë shumë dobët", shprehen tregtarët në Tiranë, të cilët vënë në dukje se largimi për pushime i konsumatorëve kryeqytetas ka ulur nivelin e shitjeve.
Sipas të dhënave nga ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, (MBUMK) në fund të kësaj jave që përkon dhe me 10 ditëshin e parë të muaji korrik, çmimet e produkteve të stinës, si domate, kastravec, speca , bamje etj, janë ulur me rreth 20 deri 25 lekë/kg, kundrejt javës së fundit të muajit Qershor.
MBUMK, vëren se gjatë kësaj periudhe çmimet kanë shënuar rënie edhe për prodhimet blegtorale dhe të mishit.
Statitikat evidentojnë se qytetet Lushnje, Fier dhe Berat ruajnë nivelin më të ulët të çmimeve për prodhimet bujqësore e blegtorale vendase.
/f.n/