Tiranë, 11 korrik, NOA, Update - Pjerin Nderu është kryetar i Partisë Socialiste për rrethin e Tiranës. Votimi i zhvilluar sot në Tiranë e ka nxjerrë atë fitues me 116 vota ‘pro’. Ndërsa kandidati tjetër Bledar Doracaj ka marrë vetëm 39 vota.
Ndërkohë që 4 vota ishin të pavlefshme dhe rreth 30 anëtarë të Asamblesë Socialiste të rrethit Tiranë nuk kanë marrë pjesë në votime. Ndreu merr në këtë mënyrë postin më të lartë politike në karrierën e tij. Pas largimit nga detyra si Drejtor i Policisë së Tiranës në vitin 2004, Ndreu ka qenë pjesë aktive e Partisë Socialiste.
Më pas ai ka qenë pjesë e LSI-së, për t’u kthyer në zgjedhjet e vitit të kaluar sërish me Partinë Socialiste.
Më parë posti i kryetarit të PS-së së Tiranës mbahej nga deputeti i Kuvendit, Besnik Bare.
Në fjalën e tij para nisjes së votimeve, Ndreu u shpreh se socialistët synojnë ta sjellën partinë sërish në pushtet. Ai theksoi se “të majtët nuk duhet të kenë frikë nga pushteti i Berishës”.
Ndërsa në lidhje me organizimin e strukturave në PS, Ndreu u shpreh se do të pranojë bashkëpunim pa kushte me të gjithë anëtarësinë dhe figurat e PS-së në Tiranë, në mënyrë që të arrihen rezultate sa më konkrete në zgjedhjet lokale.
NOA