English

PS:Bode të japë dorëheqjen, buxheti 2009, dështim i ekonomisë

Tiranë, 11 korrik, NOA – Pas deklaratave të përditshme për krizën e thellë ekonomike, që ka pushtuar vendin, selia rozë artikuloi sot kërkesën për dorëheqjen e ministrit të Financave, si përgjegjësin e dështimit ekonomik përgjatë vitit që shkoi dhe hartuesin e buxhetit të krizës, 2010, që pritet t Ministri i Financave të Shqipërisë, i diplomuari i “kursit ‘97”, duhet të japë dorëheqjen e menjëhershme: si përgjegjës kryesor për ”buxhetin e dështimit 2009” dhe si krijuesi i “buxhetit krizë” të 2010 – para se të fundosë përfundimisht ekonominë shqiptare, për herë të dytë, nën peshën e një borxhi publik kriminal”, deklaroi nga selia rozë, sekretari i Këshillit të Ekonomisë në Partinë Socialiste, Ervin Bushati.

Kjo dorëheqje e ministrit, sipas Bushatit, përligjet nga kriza e thellë dhe në rritje e sipër e financave publike, si një pasojë direkte e drejtimit kriminal të buxhetimit të vitit të kaluar, i cilësuar nga sekretari Bushati si një vit elektoral abuzimi dhe vjedhjeje me fondet publike të shqiptarëve, duke i aluduar si pasoja direkte të ekonomisë shqiptare dhe të ardhurave në ulje tek çdo familje.

“Defiçiti buxhetor në 2009 ishte 7.1 përqind e GDP-së, niveli më i lartë që nga viti 2001, kur vendi nisi rrugën e një konsolidimi fiskal të matshëm. Defiçiti ishte në 4.2 përqind të GDP-së në projektbuxhetin e vitit 2009; por rezultoi jashtë realitetit, ndërsa qeveria shqeu investimet publike në prag të zgjedhjeve”, theksoi Bushati.

Sipas tij, të ardhurat në buxhet për vitin 2009 kanë rënë në nivelin e 27 përqind, nga 28.5 përqind të GDP-së, së parashikuar, ndërsa performanca në vjeljen e tatimeve ishte tepër e dobët në gjysmën e dytë të 2009-ës, dhe rritja ekonomike e ngadalësuar në mënyrë të ndjeshme.

Bushati renditi me shifra shpenzimet e qeverisë dhe huamarrjen e lartë, si më të lartat përgjatë tërë dekadës.

“Shpenzimet shkuan në 34.1 përqind të GDP-së, shifra më e lartë në një dekadë; huamarrja e brendshme në 3.7 përqind e GDP-së, më e larta nga viti 2001; shpenzimet korrente në 24.2 përqind të GDP-së, u kthyen në nivelin e vitit 2004, larg politikës së “qeverisë së vogël”; ndërsa politikat fiskale agresive të vitit elektoral 2009 e frynë borxhin Publik në 60 përqind të prodhimit të përgjithshëm bruto të vitit 2009, nga niveli 55 përqind, që ishte në vitin 2008”, evidentoi sekretari i PS-së, Ervin Bushati.

Duke iu referuar projektBuxhetit të vitit 2010 i prezantuar vjet në nëntor, sipas Bushatit, ishte një buxhet tepër optimist, ndërsa bazohej në një zhvillim ekonomike prej 5.5 përqind të GDP-së, dhe mbi një performancë të përmirësuar të tatimeve me synimin e qartë të rritjes së të ardhurave, të cilat qeveria vjet i parashikonte në 329 miliardë lekë, apo 28.2 përqind e GDP-së, një nivel që nuk është arritur dot kurrë më parë.

Në këtë kontekst Bushati evidentoi dështimin e qeverisë, ndërsa ajo projektonte 19 përqind të ardhura më të larta se në vitin 2009, ndërsa ato ishin vetëm 4 përqind më shumë se të ardhurat e 2008-ës.

Sekretari i PS-së, Ervin Bushati nënvizoi se “Rritja e deficitit buxhetor dhe e borxhit publik do të vënë në provë stabilitetin makroekonomik, si një pasojë e pashmangshme e devijimit nga politika e konsolidimit fiskal, duke ulur dorazi fuqinë blerëse dhe investimet e qeverisë, që do do të shënojnë edhe tkurrjen në mënyrë të ndjeshme të ekonomisë.

mit/NOA
KOMENTE