Qsut-Buxheti Për Barnat Bazë Dhe Citostatikët Është Rritur Gjatë Këtij Viti
TIRANË, 11 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Buxheti për vitin 2010, si për barnat bazë, ashtu edhe për citostatikët në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, është rritur ndjeshëm.
Burime nga drejtoria e QSUT-së bënë të ditur se për barnat ka një rritje prej 67.57 për qind më shumë se viti 2009, kurse për citostatokët një rritje prej 60 për qind. Ndërkohë, tenderat e materialeve të mjekimit përfundojnë në fund të këtij muaji tërësisht, ndërsa janë realizuar një pjesë e mirë e tyre.
Gjatë 6 mujorit të parë të vitit, në QSUT janë realizuar një pjesë e konsiderueshme e investimeve dhe tenderave. Kështu, sa i përket paketës bazë dhe citostatikëve, të dhënat tregojnë se janë realizuar në masën 90 për qind, përkatësisht janë shpenzuar 621 milion lekë për paketën bazë të barnave dhe 507 milionë lekë për citostatikët.
Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, vlerësoi punën e deritanishme të suksesshme, duke theksuar se janë realizuar 90 për qind të tenderave, ndërkohë që edhe pjesa e mbetur e tyre janë në rrugë e sipër.
Edhe sa i përket sektorëve të tjerë mbështetës dhe shërbimeve kanë përfunduar të gjitha kontratat e mirëmbajtjes së aparaturave, ushqimi, lavanteria, energjia, uji. Po kështu, ka shënuar përfundimin dhe lidhja e kontratave për pastrimin e jashtëm të territorit të QSUT-së, ruajtja e objekteve, etj.
Sipas Dashit, treguesit statistikorë për këtë 6 mujor sa u përket pacientëve, janë 1 mijë pacientë më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009.
Por, sipas njoftimit për shtyp të QSUT-së, ndryshimi i Ligjit të Prokurimeve për ilaçet dhe materialet mjekësore do të çojë në shkurtimin e afateve kohore, duke bërë të mundur realizimin e tenderave në një kohë më të shkurtër në mënyrë që të gjitha barnat të jenë prezentë në pavione në të njëjtën kohë. Duke qenë se shëndetësia është një sektor që ka emergjenca të herë pas hershme është kërkuar që të ndryshohen afatet kohore për tenderimin dhe lidhjen e kontratave me grosistët, thuhet në njoftimin për shtyp.