English

Sarandë: Policia Rrugore Dyfishon Patrullat Për Të Minimizuar Aksidentet

SARANDË, 11 Korrik/ATSH-Telnis Skuqi/.- Në akset rrugore që të çojnë në Sarandë e sidomos kryqëzimet brenda në qytet e në periferinë e tij drejt plazheve, janë vendosur patrulla të qarkullimit rrugor. Riorganizimi i këtij shërbimi si strukturë më vete, me qendën e njësisë rajonale të qarkullimit rrugor në Gjirokastër, por që përfshin edhe Sarandën, ndryshe nga ndarja administrative në qarqe, po provohet në praktikën e menaxhimit të flukseve të sezonit si një avantazh. Latif Kullaj, shefi i qarkullimit rrugorë në jug të vendit, thotë për ATSH-në, se Saranda, Ksamili dhe Bregdeti janë në përparësitë e organizimit të shërbimit nga njësia rajonale. Sipas tij, edhe numerikisht efektivat që shërbejnë në Sarandë janë shtuar me forca mbështetëse nga efektiva të qarkullimit rrugor nga Gjirokastra, Tepelena, Fieri etj. "Vëmendja kryesore është lëvizja e automjeteve në qytet. Nuk ka kryqëzim rruge në qytetin e Sarandës, apo në degëzimet për në zona turistike periferike, që nuk mbulohen nga patrulla të shërbimit të qarkullimit rrugor", pohon Kullaj, duke nënvizuar se kjo ka bërë që menaxhimi i trafikut rrugor në qytet të jetë efikas dhe të parandalohen e minimizohen aksidentet. Kullaj tha se për të normalizuar lëvizjen e fluskit të turistëve vendas drejt Ksamilit dhe Butrinti, në këtë aks është vendosur një patrullë më vete e qarkullimit rrugor, që menazhon trafikun. "Patrullimi i përforcuar është vendosur edhe në Ksamil, si dhe në zonën turistike Lukovë-Borsh, si zonë turistike", përfundon Kullaj. /f.n/
KOMENTE