Shkoder: Nje Vizite Ne Muzeun Historik
SHKODËR, 11 Korrik/ATSH-G. Marku/- Afër qëndrës së Shkodrës, në "shpinë" të godinës së Radios lokale dhe rrugës që të çon për në stadiumin "Loro Boriçi", gjendet Muzeu Historik, ku ruhen pasuri me vlera të rralla arkeologjike, etnografike, arkivore e bibliotekare.
E vendosur në një shtëpi të vjetër dykatëshe karakteristike shkodrane, që njihet si "Shtëpia e Oso Kukës" me çardak, dhoma të mëdha, oxhak, tavan dekorativ, trapazan, shkallë e ballkone, të gjitha karakteristike të tipit të vjetër, tërheqin vemendjen e çdo vizitori që futet brenda në Muze.
"Në inventar gjenden pasuri të një historie mijëravjeçare, të cilat janë vendosur në pavionet arkeologjike, etnografike, në arkivin bibliotekar e më gjërë", thotë për ATSH-në drejtori i Muzeut, Fatmir Juka, që bashkë me dy specialistët, Zamir Tafilica dhe Paulin Pero mbulojnë aktivitetin. Në Muze, ndër më të pasurit në vlera historike, ende vetëm një pjesë e materialeve historike janë ekspozuar, pasi për mungesë të mjaftueshme ambientesh, nuk është e mundur paraqitja e tyre.
- Arkeologji -
Pas një xhiro në oborrin e muzeut, ku shtrihen një sërë objektesh historike, kryesisht prej guri, njëri më i veçantë se tjetri, në katin e parë kushdo shijon pavionin e arkeologjisë, pjesë e së cilës është një pasuri shumë e vjetër, që i përkasin periudhave nga neoliti, deri në mesjetën e vonshme. Falë një investimi së fundi, me fondet nga qeveria shqiptare, pavioni është sistemuar dhe adoptuar në mënyrën më të mirë për t'i shërbyer vizitorëve vendas dhe sidomos atyre të huaj.
Në dy sallat e gjëra me dysheme dhe faqe anësore prej guri, që komunikojnë me njëra-tjetrën përmes një hapësire të madhe, gjenden elementë arkitekturorë tradicionalëm me vlera origjinale të punimit të gurit e drurit, gërshetuar me panelat metalike të periudhës së traditës me ato moderne.
Elementet arkeologjikë të siguruar nga gërmimet përreth zonës periferike të qytetit, që datojnë nga epoka e gurit e deri në ditët e sotme, shoqërojnë kudo përgjatë pavionit me një fond arkeologjik, që përmban mbi 500 objekte, kryesisht vegla pune, maja shigjetash, thika, mjete të ndryshne mbrojtese, punime guri e qelqi dekorative, të gjithë periudhave historike, nga Neoliti, 6 mijë vjet Para Krishtit deri në Mesjetën e vonë të shekullit të 16-të.
Interes paraqet dhe sektori i monedhave, që i përkasin periudhës së Gentit dhe asaj romake, monedha greke e barbaike, venedikase, bizantine etj, me koleksione të madhësive të ndryshme.
- Etnografia -
Sektori i Etnografisë i vendosur në katin e dytë të ndërtesës, ka një një fond me rreth 1500 objekte, që u përkasin shek.18-të deri në 20-të, pjesa kryesore me prodhimet artizanale të qytetit dhe zonave të rrethinave, nga Zadrima, Ana e Malit, Postriba, zonat malore të Malësisë së Madhe, Dukagjinit, Shllakut dhe rretheve të tjera si, Puka, Mirdita etj. Në to tërheqin vemendjen veshjet karakteristike, qytetare, fshatare e malësore, shoqëruar me simbole të ndryshme që i përkasin zonave të veçanta.
Një dhomë, korridori dhe anekse të tjera prezantojnë elemente të shumtë të historisë shkodrane e më tej. Oxhaku, tavolina, raftet, që të gjitha të mbushura me elementë tradicionale, mjete dhe pajisje shtëpiake, sende mobilimi shtëpiake si, qylyma, perde, mbulesa tryeze, që i shërbenin familjeve, etj.
Në dollapët me korniza xhami që mbajnë brenda veshje komplete ose elemente, janë një e veçantë tjetër që të shoqëron në këtë pavion së bashku me orendi druri me gdhendie si, rafte, tryeza, karrige, plot elementë dekorativë të ruajtura dhe mirëmbajtura me kujdes nga punonjësit e muzeut.
Aty gjen enë të përdorimit të përditshëm si, kupa, pjata, tepsi, enë uji prej qeramike, porcelan, metale, tangarë zjarri, vegla pune të mjeshtrive të ndryshme të kovaçit, argjendarit, lëkurpunuesit, bakërpunuesit, drugëdhendësit, armëpunuesit, si dhe vegla muzikore tradicionale, lahuta, çifteli, fyej, zumare, saze.
- Arkivi-Biblioteka -
Ngjitur me pavionin e Etnografisë, gjenden sektori i Arkivit dhe Bibliotekës, pranë të cilëve në një çardak të gjërë, krahas të tjerave, tërheq vemendjen një tezgjah, me të cilin familjet e vjetra punonin për endjen e produkteve të ndryshme në shërbim të jetës së përditshme. Në Arkiv gjenden rreth 20.000 njësi arkivale, me dokumente të ndryshme që datojnë periudha të hershme si, pergamena, dokumente të njësive administrative osmane, objekte e dokumente të figurave e ngjarjeve historike etj.
Paulin Pero, punonjës i hershëm i Muzeut tregon për ATSH-në se, institucioni është ngritur në vitin 1949 ku u mblodhën objektet e koleksionet e muzeumeve të Jezuitëve e Françeskanëve. Sipas tij, Muzeu më parë ishte vendosur në qendër të qytetit, pranë Sahatit të Inglizit.
Që nga viti 1996 ai është zhvendosur në mjediset e një banese karakteristike shkodrane, ndërtuar rreth fundit të shek. XIX, e cila ka statusin e monumentit të kulturës.
Pero shton se deri në fillim të viteve 90-të në Shkodër funksiononin 7 qendra muzeale, të vendosura në shtëpi private, që pas vitit 1990 j'u kthyen ish-pronarëve të ligjshëm, një pjesë e të cilëve ia ndryshuan destinacionin. Të gjitha materialet që gjendeshin në 6 muzetë e tjera u grumbulluan në Muzeun Historik, që është i vetmi, përveç atij që ndodhet në Kalanë Rozafat dhe të disa të tjerëve në zonat e ndryshme të rrethit.
Në sektorin e Bibliotekës ku punon Zamir Tafilica gjendet një fond shumë i pasur prej rreth 20 mijë kopjesh, i cili mbulon gjithë fushat e Albanologjisë dhe literatura të autorëve shqiptarë e të huaj, në shumë gjuhë të huaja.
Tafilica tregon se librat më të vjetër i përkasin shekullit të 17-të, mes të cilëve, "Dottrina Christiana" të Pjetër Budit të vitit 1618, "Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander - Begh" i G.Biemm-it i vitit 1742. Këtë sektor e ka pasuruar së tepërmi edhe fondi prej mbi 2000 vëllimesh i bibliotekës të familjes Pipa, dhuruar Muzeut Historik të Shkodrës nga familja. /a.ke/