Johanesburg, 11 korrik, NOA – Vetëm një orë na ndan nga finalja e botërorit të 19-të të futbollit, kur do të luhet ndeshja historike për të parën Kupë Bote, në duelin mes demave të Spanjës dhe tulipanëve të Hollandës.
Kështu ka deklaruar sulmuesi i Spanjës, David Villa, dhe më pas shpirti i qendërsulmit spanjoll, Xavi, në një konferencë për shtyp në Soccer City.
Tashmë kombëtares spanjolle, kampiones së Evropianit 2008, e cila asnjëherë më parë nuk ka mbërritur në finalen e Kupës së Botës në Futboll, i duhet i fundmi hap përdrejt fitores kundër Holandës.
Skuadrave e demave përballet sot me një kundërshtar që luan mirë në sulm sikundër ajo vetë, me një Holandë e cila deri tani i ka fituar të gjitha ndeshjet për këtë botëror futbolli.
Trajneri i Spanjës Del Bosque, theksoi përpara finales me Hollandën se “tulipanët luajnë një futboll ofensiv të ngjashëm me tonin, e nuk besoj se do të ndryshojë lojë përballë nesh”.
Del Bosque nënvizoi se Hollanda ka lojtarë shumë cilësorë e të shpejtë, që mendojnë mbi të gjitha të vertikalizojnë lojën.
Trajneri Del Bosque u shpreh i qetë mbi lojën e djemve të tij të skuadrës, duke i vlerësuar ata si futbollistë me përvojë dhe të mbushur me një eufori shpërthyese për mbërritjen e tyre në finale.
Del Bosque u ndje i lumtur kur mësoi përmes një telefonate nga vetë mbreti Huan Karlos, kombëtarja Spanjolle ka bashkuar tërë mbretërinë e Spanjës, dhe se flamujt e mbretërisë valëviten edhe në ato dritare ku më parë valëviteshin ngjyra të komuniteteve autonome.
Tashmë e tërë Spanja është veshur në të verdhë e të kuqe.
Por, lideri i kombëtares spanjollë, Xavi, shton më tej se “nuk është vetëm Barcellona krenare për kombëtaren e Spanjës, por e tërë Spanja”.
Sipas ekspertëve pritet një duel i fuqishëm për Topin e Artë, mes mesfushorit spanjoll Xavi dhe atij hollandez Sneijder, si lojtari më i mirë i Botërorit 2010.
Në këtë kontekst, Xavi, sqaron më tej se “Mua më intereson vetëm të fitoj Kupën e Botës, të tjerat pak rëndësi kanë.
Lideri spanjoll duket tejet i vendosur kur thotë përballë gjithë tifozëve spanjollë që mbajnë frymën në vigjilje të ndeshjes historike, se “dua vetëm që të bëjmë hapin e fundit drejt asaj që ëndërrojmë, dhe që padyshim e meritojmë”.
Sipas drejtuesve të skuadrës spanjolle të dyja skuadrat luajnë në mënyrë të ngjashme dhe bëjnë një lojë sulmuese, por duhet sipas tyre një lojë imponuese me qëllimin maksimal të kurimit të çdo pike kyçe dhe mos lënies së shtigjeve për goditjen e kundërshtarit.
Sipas Xavit, është e vërtetë që skuadra e demave nuk finalizon shumë topa në rrjetë, por është pikërisht loja e tyre sulmuese me shumë raste për gol, që në fund të fundit do t’u dhurojë gjatë kësaj finaleje të shumëpritur golin e fitores.
mit/NOA