Sport-Botëror/ Finalja Holandë - Spanja, Sfida Për Kampionen E Re Të Botës
TIRANË, 11 Korrik/ATSH/ Holanda dhe Spanja do të ndeshen sot në orën 20.30 në stadiumin "Soccer City" në finalen e madhe të Kupës së Botës.
Nën drejtimin e anglezit Hauard Ueb, dy skuadrat europiane do të diskutojnë për herë të parë mes tyre trofeun më të rëndësishëm të botës së futbollit.
Specialistët e kanë quajtur këtë finale si një fitore të futbollit të bukur ndaj atij skematik, duke qenë se Spanja e Holanda janë nga skuadrat e vetme që japin spektakël në fushë.
Spanja në këtë Botëror ka konfirmuar atë çfarë bëri në Europianin e vitit 2008: presing konstant, një formë atletike të shkëlqyer dhe mbi të gjitha një qarkullim topi të jashtëzakonshëm. Merita për këtë u shkon palexhatorëve të Barcelonës, një thesar që Del Boske i shtoi shpejtësinë e Serxho Ramos, regjinë e Ksabi Alonsos dhe sigurinë e Iker Kasijas. Ndoshta do të flitej edhe për potencën e Fernando Torres, por për momentin sulmuesi i Liverpulit nuk është se ka treguar ndonjë gjë të madhe. Pikërisht Torres është dyshimi më i madh për finalen, dhe ndoshta ai do të qëndrojë sërish në stol ashtu si në takimin me Gjermaninë, për t'i lënë vend Pedros.
Por, nëse në shtëpinë e Spanjës ekziston të paktën një dyshim në lidhje me formacionin që do të zbresë në fushë, tek Holanda çdo gjë duket e kristalizuar. Do të rikthehet nga skualifikimi Van Der Viel, që do të zërë vendin e tij në mbrojtje në vend të Bularuz.
Në mesfushë, do të rikthehet De Jong, partneri i Mark Van Bomel në digën që mbron prapavijën holandeze. Përsa i përket sulmit, çdo gjë është e paracaktuar. Van Persi do të jetë pika e referimit, Shnajder do të luajë në qendër pas tij, ndërsa Kajt dhe Roben në krahë. E megjithatë, problemi i holandezëve është portieri Stekelenburg, i cili ka një dhimbje në fundshpinë dhe është në rrezik për të luajtur.
Finalja mes Spanjës dhe Holandës do të jetë ndeshja e fundit e kampionatit botëror, që nisi më 11 qershor në Johanesburg të Afrikës së Jugut. Turneu afrikan dhuroi emocione të shumta, ndërsa trofeu do t'i shkojë një skuadre që nuk e ka fituar asnjëherë më parë. Po ashtu, është hera e parë që një skuadër e europiane triumfon jashtë kontinentit të vjetër.
Holandë - Spanjë
Johanesburg "Soccer City" 20:30
Holanda (4-2-3-1): Stekelenburg; Boulahrouz, Heitinga, Mathijsen, Van Bronckhorst; Van Bommel, De Zeeuv ( 45' Van der Vaart); Robben, Sneijder, Kuyt; Van Persie. (Boschker, Vorm, Ooijer, Braafheid, Schaars, Afellay, Elia, Babel, Huntelaar). Trajner: Bert Van Marvijk.
Spanja (4-3-2-1): Casillas; S. Ramos, Puyol, Piqué, Capdevila; Busquets, Xavi, Xabi Alonso (Marchena); Pedro (Silva), Iniesta; Villa (Torres). (Reina, Valdes, Albiol, Fabregas, Mata, Arbeloa, Llorente, Javi Martinez, Silva, Navas).Trajner: Vincente Del Bosque
/f.n/