Sport-Botëror/ Holandë- Spanjë, Mbyllen Në Barazim 0-0, 90 Minutat E Rregullta
TIRANË, 11 Korrik/ ATSH- Gjergji Mima/ - Janë mbyllur në barazim 0-0 90 minutat e rregullta të finales së Kupës së Botës "Afrika e jugut 2010" mes Holandës dhe Spanjës.
Holanda dhe Spanja kanë zbritur në fushë me formacionet e tyre tipike. Për holandezët në portë luajti Stekelenburg, në mbrojtje Van Der Viel, Matijsen, Heitinga dhe Van Bronkhorst. Ndërkohë në mesfushë luajnë De Jong, Van Bomel, Shnajder dhe Roben, ndërsa në sulm Dirk Kajt dhe Robin Van Persi.
Spanja e ka nisur ndeshjen me Iker Kasijas në portë, Serxho Ramos, Pujol, Pike dhe Kapdevila në mbrojtje. Në mesfushë luajnë Ksavi, Iniesta, Serxhi Buskets dhe Xavi Alonso, ndërsa në sulm Pedro dhe David Vija.
Pjesa e parë e finales së Botërorit mes Spanjës dhe Holandës. Takimi ka nisur me dominimin e iberikëve, por më pas Holanda ka qenë më e rrezikshme. Pjesa e parë është karakterizuar nga një lojë e rëndë, sidomos në mesfushë. Një gjë e tillë e ka detyruar arbitrin anglez Hauard Ueb që të nxjerrë pesë herë nga xhepi kartonin e verdhë, ndërkohë që ndërhyrjet kanë qenë shumë të rënda.
Në minutën e 28-të mesfushori Najxhell De Jong rrezikoi të linte skuadrën e tij me 10 vetë për shkak të një shkelmi të dhënë ndaj Ksabi Alonsos me tërë forcën, por arbitri e ka toleruar duke i dhënë vetëm të verdhë. Ndërkohë, shumë personalitete në tribunë, ndërsa stadiumi ka qenë i ngjyrosur me portokalli dhe të kuqe, ngjyrat kombëtare.
Në pjesën e dytë Holanda është shfaqur më e rrezikshme, por Robben ka humbur dy raste të pastra për shënim, ku portieri spanjoll Casillas ka bërë mrekullinë.
Në stadiumin Soker City të Johanesburgut ku po zhvillohet finalja e madhe e kampionatit botëror mes Spanjës dhe Holandës ndodheshin 15 kryetare shtetesh, ndërsa i pranishëm ishte dhe Nelson Mandela, që qëndroi vetëm për një përshëndetje.
- Rastet kryesore të takimit
80' Serxho Ramos ka një rast të mirë për të shënuar, por gjuajtja me kokë përfundon mbi kuadrat. Loja vazhdon të jetë e ashpër dhe me dyluftime të forta në mesfushë.
70' Rasti më i mirë për Spanjën. Pas një rrëmuje në zonën holandeze, gjuan Vila, por Heitinga largon në goditje këndi. Ndërkohë, Dirk Kait lë fushën e lojës e në vend të tij futet Eljero Elia.
67' Joan Kapdevila bëhet i teti lojtar i ndëshkuar me karton të verdhë.
61' Roben shpërdoron rastin më të mirë për të gjetur avantazhin. I gjendur përballë portës, gjuan por Kasiljas bëhet shpëtimtar i skuadrës së vet.
60' Zëvendësim te Spanja: jashtë Pedro, në lojë Hesus Navas.
55' Ashtu si në pjesën e parë, minutat e fillimit u takojnë spanjollëve. Van Bronkhorst dhe Heitinga ndëshkohen me karton të verdhë.
45' Gjyqtari Hauard Ueb dërgon ekipet në dhomat e zhveshjes, pas një pjese të parë përgjithësisht të barabartë. Spanjollët kanë një përqindje më të lartë të mbajtjes së topit, por asnjëri prej ekipeve nuk ka krijuar raste të pastra për shënim.
35' Loja zhvillohet në mesin e fushës, me dyluftime të ashpra. Spanjollët kanë më tepër iniciativën dhe janë më të qetë në veprime.
25' Pas dominimit nga Spanja në minutat e para, ndeshja është më e ekuilibruar dhe më e ashpër. Brenda 13 minutave janë nxjerrë katër kartonë të verdhë: Van Persi, Van Bomel dhe De Jong për Holandën; Pujol dhe Ramos për Spanjën.
Botërori "Afrika e Jugut 2010"
Joahnesburg, "Soccer City" Stadium
Holandë - Spanjë
Holanda (4-2-3-1): Stekelenburg; Van Bronkhorst, Heitinga, Matijsen, Van der Viel; Van Bomel, De Jong; Roben, Shnajder, Kait; Van Persi. Trajner: Van Marvijk
Spanja (4-2-3-1): Kasiljas; Ramos, Pike', Pujol, Kapdevila; Buskets, Ksabi Alonso; Iniesta, Ksavi, Pedro; Vila. Trajner: Del Boske
/s.s./